Sociologjia e së drejtës, tekst i parë në shqip
Shtëpia botuese “Naimi”, në bashkëpunim me universitetin “Justiniani I”, publikon një libër mbi sociologjinë e së drejtës, një shkencë relativisht e re, shkencë e periudhës postmoderne të historisë botërore. “Sociologjia e së drejtës” me autor dr. Fatmir Zanaj është një punë e thelluar shkencore, e cila plotëson edhe kërkesat didaktike që i ka vënë vetes autori për t’u dhënë studentëve të fakulteteve të drejtësisë njohuritë e duhura për sociologjinë e së drejtës, këtë disiplinë relativisht të re në programet e përgatitjes universitare. Merita e autorit qëndron jo vetëm në atë se ky është teksti i parë mbi sociologjinë e së drejtës që botohet në vendin tonë, por edhe në drejtim të një konceptimi më të gjerë të domosdoshmërisë së pjesëmarrjes se shkencave të tjera, sidomos atyre sociale, në trajtimin dhe studimin e jurisprudencës”, shkruan në parathënie të librit prof. dr. Luan Gjonçaj, dekan i fakultetit në Universitetin “Justiniani I”, Tiranë. Autori ka shfrytëzuar një literaturë të pasur, duke ndjekur me vëmendje zhvillimet
e dijes sociologjike mbi të drejtën në vendet perëndimore dhe përzgjedhur autorët më të rëndësishëm, shkollat më përfaqësuese të mendimit filozofik e sociologjik mbi të drejtën, si dhe duke ballafaquar botime nga më përfaqësueset në vite, me ato më të fundit nga universitetet me traditë të SHBA-së dhe të Evropës. Në librin “Sociologjia e së drejtës” bëhen përpjekje për të integruar edhe rezultatet e studimeve të autorëve shqiptarë të fushave të së drejtës dhe të kriminologjisë. Autori ka punuar me pasion, është këshilluar dhe ka zhvilluar takime e konsulta me kolegët e departamenteve të së drejtës
publike dhe penale të universitetit mbi çështjet që trajton. Teksti ka vlera njohëse dhe përgjithësuese jo vetëm për studentët, por edhe për specialistët e së drejtës, sepse në këtë botim ata do të gjejnë trajtimin me mjeshtëri profesionale të problemeve më kryesore teorike të së drejtës bashkëkohore. Autori i materializon përfundimet teorike me shembuj dhe trajtime praktike. Gjithashtu, libri do të ndihmojë studiuesit e rinj të fushave të sociologjisë, të shkencave ligjore dhe të kriminologjisë, sepse u ofron atyre një pasuri të gjerë konceptesh, teorish dhe paradigmash të autorëve më të njohur mbi të drejtën dhe zhvillimin e saj në kushtet e shoqërisë moderne dhe post-moderne.