Aksidentet, fundjava më e përgjakshme në rrugët e Shqipërisë
Fundjava është mbyllur me një bilanc tragjik në rrugët e vendit tonë, ndërkohë që raportohet për të paktën 4 persona të arrestuar dhe të ndaluar, të cilët dyshohet se kanë shkelur rregullat e qarkullimit gjatë drejtimit të automjeteve të tyre. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se janë regjistruar aksidente në Tiranë, Durrës, Peqin, dhe Fier. Efektivat blu të kryeqytetit arrestuan dje shtetasin Robert Muzhaqi, pasi dyshohet se është autor i aksidentit me makinë me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e një tjetri dy ditë më parë në Tiranë. Sipas policisë së Tiranës, Robert Muzhaqi, 21 vjeç, duke udhëtuar me mjetin tip "Honda" në bulevardin "Zhan D'Ark", ka aksidentuar me vdekje shtetasin Altin Papara, 30 vjeç, nga Saranda. Gjithashtu nga ky aksident mbeti i plagosur edhe shtetasi Enton Këndezi, 30 vjeç, i cili mësohet se ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Drejtuesi i mjetit, pasi ka kryer aksidentin, është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është arrestuar pas disa orë kërkimesh nga forcat e rendit. Çështja ndaj tij i kaloi prokurorisë për veprat penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “largimit nga vendi i aksidentit”. Ndërkohë, të dielën në mbrëmje efektivat e Komisariatit të Policisë së Fierit kanë ndaluar një 16-vjeçar me iniciale M. F., nga qyteti i Fierit, pasi aksidentoi me pasojë vdekjen një 67-vjeçar nga fshati Baltëz i komunës Ndërmëna. Sipas burimeve zyrtare të policisë, në orët e pasdites së dy ditëve më parë, adoleshenti ka qenë duke drejtuar automjetin tip “Pezho, me targa greke, në segmentin rrugor Fier–Seman, por, si pasojë e shpejtësisë së madhe, ai ka humbur kontrollin e mjetit duke aksidentuar shtetasin Adil Reshllani. 67-vjeçari Reshllani po udhëtonte me një motor tip “Honda”. Pas aksidentit adoleshenti është larguar nga vendngjarja duke braktisur autoveturën që drejtonte. Arrestimi i tij u bë i mundur nga efektivat e policisë vetëm pak orë më vonë.
Po ashtu, raportohet një aksident me pasojë plagosjen e një 54-vjeçareje në aksin rrugor Peqin-Elbasan. Burime të policisë bënë të ditur se në orët e vona të së dielës, në vendin e quajtur kryqëzimi Gjocaj, një mjet tip “Benz” veturë me targë PE 2245A, me drejtues shtetasin Gëzim Gjorduni është përplasur me mjetin tip “Ford” furgon me targa KR 3207A, me drejtues shtetasin me iniciale E. B. Si pasojë është aksidentuar shtetasja Z. H., 54 vjeç, banuese në fshatin Përparim, e cila ka qenë pasagjere në mjetin tip “Benz”. Menjëherë ajo është transportuar në Spitalin kirurgjik të Elbasanit ku edhe ndodhet aktualisht nën vëzhgimin e mjekëve. Grupi hetimor i ndodhur në vendin e ngjarjes ka konstatuar se shkak i aksidentit ka qenë shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e drejtuesit të mjetit tip “Benz”.
Ndërsa në Durrës është plagosur rëndë një fëmijë 5-vjeçar nga një i ri, i cili po drejtonte mjetin pa pasur patentë. Ngjarja ndodhi në orën 16:30 të ditës së diel. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut bëjnë të ditur se shtetasi Denis Vrioni, 20-vjeçar, lindur dhe banues në Katund i Ri të Durrësit, u arrestua dje. Ai ka qenë duke drejtuar mjetin e tij të markës “Benz” kur ka aksidenduar 5-vjeçarin A. M., banues në fshatin Rrushkull. Fëmija ndodhet në Spitalin rajonal të Durrësit për ndihmë mjekësore dhe deri tani është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, policia tha se arrestoi 20-vjeçarin për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “drejtim mjeti pa dëshmi aftësie”.
Vetëm ditën e premte dhe të shtunë kanë ndodhur mbi 30 aksidente, me një bilanc 7 të vdekur dhe mbi 20 të plagosur. Shtimi i aksidenteve në këtë periudhë ndodh për shkak të rritjes së mjeteve në akset rrugore dhe terrenit të rrëshqitshëm për shkak të reshjeve të shiut dhe dëborës.
BILANCI I AKSIDENTEVE
Altin Papara, 30 vjeç, i vdekur - Tiranë
Enton Këndezi, 30 vjeç, i plagosur - Tiranë
Adil Reshllani, 67 vjeç, i vdekur – Fier
Z. H., 54 vjeçe, e plagosur – Peqin
A. M., 5 vjeç, i plagosur – Durrës
TË NDALUARIT
Robert Muzhaqi, 21 vjeç, - Tiranë
M. F, 16 vjeç, - Fier
Gëzim Gjorduni, 25 vjeç, - Peqin
Denis Vrioni 20 vjeç, - Durrës
30 Dhjetor 2008