Gjykimi për tragjedinë e Gjirokastrës, mbeten sërish në burg dy specialistët e firmës
GJIROKASTËR – Dy specialistët e firmës së ndërtimit, e cila akuzohet për tragjedinë e Gjirokastrës, kanë mbetur sërish në qeli, pasi u është rrëzuar kërkesa për gjykim në gjendje të lirë. Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër dha dje vendimin “burg pa afat” për inxhinierin zbatues të firmës “Arti” Luan Bufi dhe specialistin gjeolog, Thanas Llahana, pas kërkesës për ndryshimin e masës së arrestit që kërkuan avokatët e të pandehurve. Seanca për rishqyrtimin e kësaj kërkese u zhvillua pasi pala mbrojtëse tha se kishte të dhëna "që ishin mbledhur në vendngjarje nga një grup ekspertësh dhe që hedhin dritë mbi pafajësinë e Bufit dhe Llahanas". Kryesuesi i seancës gjyqësore, Pëllumb Vehbiu, vërejti se "edhe ditën e hënë nuk u paraqit akti i ekspertëve si rrethanë e re" dhe gjykoi se kjo procedurë do të vlerësohet kur të paraqitet nga akuza përmes prokurorëve të çështjes, Alfred Saliu dhe Arben Pasho". Avokatët e dy të pandehurve kërkuan zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg”, në “ndjekje në gjendje të lirë” për Luan Bufin dhe Thanas Llahanan. Akti i ekspertimit, nga i cili varet fati i të pandehurve Llahana dhe Bufi, i përgatitur nga një grup ekspertësh, ende nuk është dorëzuar në Prokurorinë e Gjirokastrës. Sipas burimeve zyrtare nga kjo prokurori, ekspertët janë paraqitur disa herë atje por ende nuk kanë dhënë një akt përfundimtar, i cili do të sqaronte problemet rreth raportit teknik të lëshuar nga gjeologu Thanas Llahana për ndërtimin e godinës 8-katëshe, punimet e së cilës dyshohet se shkaktuan shembjen e pallatit 5-katësh në lagjen “11 Janari” të Gjirokastrës. Nga kjo fatkeqësi që ndodhi më 9 nëntor humbën jetën tre banore të pallatit dhe u plagosën tre të tjerë. Nga hetimet e deritanishme është arritur në përfundimin se pallati 5-katësh i ngritur në një kodër u shemb për shkak të punimeve për ndërtimin e një godine të re pranë tij. Deri tani për këtë ngjarje janë ndaluar dhjetë njerëz, dy nga të cilët u lanë të gjykohen në gjendje të lirë.
30 Dhjetor 2008