E Shtunë, 31 Tetor 2026

I ftohti arrin rekordin, nata e Vitit të Ri me acar



Temperaturat arrijnë në – 9 gradë, duke shënuar rekordin e vitit, ndërkohë që specialistët parashikojnë që edhe nata e ndërrimit të viteve do të jetë e acartë. Burimet zyrtare të Shërbimit Meteorologjik të Ushtrisë pohojnë se ulja e temperaturave do të vazhdojë deri më datën 31 dhjetor. I gjithë vendi është përfshirë nga i ftohti, gjë që ka shkaktuar probleme në lëvizjen e mjeteve. Veriu dhe Jugu i Shqipërisë kanë pasur bllokime rrugësh.
Temperaturat mjaft të ulëta, deri në minus 9 gradë, kanë përfshirë Qarkun e Kukësit. Akulli, i pranishëm në të gjitha akset rrugore, ka vështirësuar lëvizjen e mjeteve, ndonëse nuk ka asnjë aks rrugor të bllokuar tërësisht", - tha dje përgjegjësi i Zyrës së Emergjencës Civile në prefekturën e Kukësit, Azem Tema. Me gjithë të ftohtin e madh është mbajtur i hapur gjatë gjithë kohës aksi rrugor Morinë - Kukës - Qafë Shllak, që lidh Kosovën me pjesën tjetër të vendit. E njëjta situatë është edhe në Korçë. Dëbora që ra tri ditë më parë në zonën juglindore të vendit arriti trashësinë deri në 35 centimetra në zonat më të larta malore dhe disa komuna e fshatra të rrethit të Korçës u izoluan për shkak të bllokimit të rrugëve. Fshati turistik i Dardhës, Voskopoja, Vithkuqi e Liqenasi, patën vështirësi të mëdha për qarkullimin e mjeteve. Në 48 orët e fundit qarkullimi u vështirësua edhe nga temperaturat e ulëta, që sollën dhe ngrica. Gjatë ditës së sotme vendi ynë do të ndikohet nga fusha barike e presionit të lartë, me qendër në Veriperëndim të Ballkanit. Sipas meteorologëve, masat ajrore që qarkullojnë do të jenë të qëndrueshme, të ftohta dhe të thata. Kjo situatë do të vazhdojë deri në fund të vitit, duke regjistruar temperaturat më të ulëta të vitit 2008.

TEMPERATURAT PËR SOT
Tirana -1 dhe 10
Shkodër -1 dhe 5
Durrës 2 dhe 12
Lezhë 0 dhe 10
Kuçovë -2 dhe 10
Gjirokastër -2 dhe 5
Elbasan 2 dhe 11
Kukës - 5 dhe 0
Peshkopi -6 dhe -3
Korçë -9 dhe -2
Vlorë 4 dhe 11
Sarandë 4 dhe 11

Tritol në katin e tretë të pallatit, shpëtojnë 5 anëtarët e familjes Ago

BERAT – Një shpërthim tritoli është regjistruar në orët e vona të së dielës në qytetin e Beratit, duke dëmtuar rëndë banesën e një shtetasi. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se persona ende të paidentifikuar nga policia i kanë vënë tritol banesës së shtetasit Gëzim Ago. Ai gjendej në banesë në momentin e shpërthimit bashkë me dy vajzat dhe bashkëshorten. Sipas burimeve, fatmirësisht të gjithë anëtarët e familjes Ago kanë shpëtuar pa dëmtime fizike në momentin e shpërthimit. Policia pasi ka dëgjuar shpërthimin e madh në qendër të qytetit ka shkuar në vendngjarje. Ajo bëri të ditur se një sasi tritoli ka shpërthyer mbrëmjen e së dielës në hyrje të shtëpisë së shtetasit Gëzim Ago në lagjen “22 Tetori”, në qendër të qytetit. Persona ende të paidentifikuar nga policia kanë vendosur një sasi tritoli në pragun e derës të familjes Ago, të cilët banonin në katin e tretë të pallatit nr. 57. Po punohet për kapjen e autorëve edhe në bazë të dëshmive të familjarëve në lidhje me konfliktet e mundshme që kanë pasur.

Bie në pranga kryegrabitësi i motorëve në rrethin e Shkodrës

SHKODËR – Një djalë i ri, i cili ishte kthyer në tmerrin e banorëve të Shkodrës për “lumë” vjedhjesh, kryesisht të motoçikletave, është vënë në pranga. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se dje u arrit të realizohet ekzekutimi i urdhër-ndalimit, i nxjerrë nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor të Shkodrës, për 26-vjeçarin Ridvan Kopliku, lindur dhe banues në lagjen “Perash” të këtij qyteti.
“Ndalimi i tij u bë pasi në kohë dhe në vende të ndryshme, ka vjedhur një numër të konsiderueshëm motorësh të disa tipave”, - konfirmoi policia. Ndër rastet më “pikante” të vjedhjeve konsiderohen ato të datës 7 nëntor të këtij viti, kur publikisht, i riu rrëmbeu në vendin e quajtur Kryqëzimi i ish-Degës, ne Lagjen “Tre Heronjtë”, motoçikletën e shtetasit E. Z. Një tjetër rast i ngjashëm ishte më 5 dhjetor, kur i riu akuzohet se ka vjedhur brenda pak minutash dy motorë njëherësh, fillimisht motoçikletën e shtetasit Gj. Gj. dhe pak më vonë të qytetarit tjetër, E. Gj. Një ditë më pas i dyshuari ka vjedhur edhe në vendin e quajtur “Sahati”, motoçikletën e Sh. M. “Nga ana jonë janë bllokuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, shtatë motoçikleta të markave të ndryshme”, - sqaroi policia. Por ajo tha se “gjithashtu po punohet për zbulimin dhe gjetjen e të tjera motoçikletave të vjedhura më parë nga 26-vjeçari Ridvan Kopliku.

Kundërshtojnë forcat e policisë, ndalohen babai me dy djemtë

TROPOJË – Tre anëtarë të një familjeje kanë përfunduar në pranga pasi kanë kundërshtuar dhe fyer në detyrë efektivat e policisë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Kukësit bëjnë të ditur se mbrëmjen e së dielës, rreth orës 20:00 janë shoqëruar në Komisariatin e Tropojës shtetasit Sadik Kërtoçi, 50 vjeç, bashkë me dy djemtë e tij, Tigër Kërtoçi, 15 vjeç dhe Amarildo Kërtoçi, 14 vjeç. Sipas tyre, në afërsi të vendit të quajtur “Kryqëzimi i Tropojës së vjetër”, tre shtetasit, anëtarë të familjes Kërtoçi kundërshtuan dhe fyen forcat e policisë, të cilët ishin në krye të detyrës.
Të njëjtat burime cilësojnë se ngjarja ndodhi pasi këta të fundit kishin kërkuar të kontrollonin automjetin ku këta tre shtetas udhëtonin. Babai bashkë me dy djemtë kanë debatuar me punonjësit e Policisë së Qarkullimit dhe më pas i kanë fyer, gjë që solli edhe ndalimin e tyre. Në tre muajt e fundit ky është rasti i tretë i shtetasve që fyejnë dhe kundërshtojnë uniformat blu në detyre.

Vetëvaret në litar 65-vjeçarja, shkak varfëria

SHKODËR - Një 65-vjeçare nga fshati Naraq i Shkodrës është gjetur e varur në litar në dhomën e saj të gjumit. Sipas policisë, e moshuara jetonte në shtëpi vetëm me bashkëshortin, i cili ishte me probleme mendore. Shtetasja Dake Prroni i ka dhënë fund jetës duke varur veten në litar. I shoqi ka njoftuar komshinjtë kur ka gjetur bashkëshorten të vdekur. Më tej kanë qenë fqinjët ata që kanë dhënë njoftimin në polici. Sipas policisë, problemet sociale kanë qenë shkaqet që e kanë çuar gruan 65-vjeçare drejt vetëflijimit. Ajo jetonte me një të sëmurë mendor në shtëpi, ndërsa fëmijët i kishte në emigracion. Ngjarja mësohet se ka ndodhur mbrëmjen e së dielës ndërsa policia mori njoftimin dje në orët e para të mëngjesit. Pas ekzaminimit të bërë nga ekspertët mjeko-ligjorë, policia pohoi zyrtarisht se 65-vjeçarja Përroni i ka dhënë fund jetës në rrethana depresioni.

30 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›