E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentet i marrin jetën një motoristi, plagosen tre të tjerë

Shpejtësia

Një person ka gjetur vdekjen, ndërsa tre të tjerë janë plagosur rëndë nga aksidentet rrugore të ndodhura gjatë 24 orëve të fundit në Tiranë. Burimet policore bënë të ditur se nga specialistët e seksionit të Hetimit të Aksidenteve u arrestua në flagrancë Eduart Xharo, 34 vjeç, banues në Tiranë. Ky person, rreth orës 18:00, duke drejtuar automjetin tip “Mercedes Benz”, me targë TR1361M, në rrugën Tufinë–Uzina e Filerisë, është goditur mbrapa nga motori tip “Honda”, me targë KR140A, i drejtuar nga Gani Novrus Gjuzi, 23 vjeç, banues në Tiranë. Për pasojë motori ka kaluar në trotuarin e djathtë, duke u përplasur me kolonën e banesës së Luan Bajramit. Si pasojë është aksidentuar drejtuesi i motorit, pasagjeri i tij shtetasi Drilon Thaçi, 17 vjeç, banues në Tiranë dhe këmbësori Hysni Muça, 27 vjeç, banues në Tiranë, të cilët u dërguan në Spitalin Ushtarak Tiranë. Rreth orës 23:00 Gani Gjuzi ka gjetur vdekjen, ndërsa Drilon Thaçi ndodhet në gjendje të rëndë dhe Hysni Muça, jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, po dje u arrestua në flagrancë Engli Dalip Zhegu, 20 vjeç, banues në Tiranë, sepse në orën 07:55, në rrugën “Ali Demi”, duke qarkulluar me mjetin motor me targë BT01124, ka aksidentuar këmbësorin Petrika Naço, 70 vjeç, banues në Tiranë, i cili ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Nga ky aksident ka mbetur i plagosur edhe drejtuesi i motorit, Engli Zhegu.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›