Të ndarë në hotel, por bashkë në lokal
Ndonëse Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, arritën t’i shmangeshin udhëtimit në të njëjtin avion drejt Strasburgut, diçka e tillë nuk ka ndodhur me hotelin. Që të dy kanë prenotuar në hotel “Hilton”, por mësohet se nuk kanë pasur asnjë takim paraprak së bashku. Edi Rama, i shoqëruar nga stafi i tij në këtë udhëtim, ka mbërritur në hotel në orët e para të paradites së djeshme. Pas një pushimi të shkurtër në dhomën e tij, Rama ka dalë në hollin e hotelit për të qëndruar aty për orë të gjata së bashku me stafin shoqërues. Rreth pesë orë më vonë, në hotel “Hilton” ka mbërritur edhe Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga shefi i tij i kabinetit. Qëndrimi i Kryeministrit Berisha në hotel ka zgjatur vetëm rreth 45 minuta, sepse më pas ai ka preferuar ta kalojë jashtë pasditen. Pika tjetër e takimit për palët ka qenë restoranti “Au Crocodile” në qytetin e Strasburgut, ku krerët më lartë të KE-së dhe PE-së kanë ftuar Ramën dhe Berishën për darkë. Ky restorant konsiderohet si një nga më luksozët në qytetin francez dhe drejtuesit e tij rekomandojnë se nuk duhet humbur pjata me mëlçi pate, me raven dhe mollë, qitro dhe salcë xhenxhefili. Po kështu, një ëmbëlsirë e cila nuk duhet humbur në këtë restorant është keku me çokollatë dhe pija më e veçantë është kokteji me bazë vodke dhe me lule kaktusi.
#