E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Tiranës merr në dorë paratë për orët jashtë orarit

Strukturat e rendit dhe ato të hetimit të krimit janë paguar për vitin 2009

Policia e Tiranës, e cila prej 20 ditësh ishte e mobilizuar për mbarëvajtjen e grevës dhe mitingjeve të Partisë Socialiste, ka festuar me mbylljen e grevës jo vetëm për faktin se nuk do të dalin në punë me orare të zgjatura, por edhe sepse më në fund u janë hedhur në llogaritë e tyre gjithë pagesat e orëve suplementare të kryera gjatë vitit 2009.

Atyre u janë hedhur paratë e gjithë orëve të evidentuara një vit më parë vetëm para dy ditësh, pavarësisht se fondi është lëvruar në prill. Sipas të dhënave, pagesat për gjithë orët e punës të kryera jashtë orarit janë dhënë si për shërbimet e rendit, ashtu edhe për hetimin e krimeve. Gjithashtu u është premtuar se shumë shpejt do të marrin edhe paratë për orët e kryera jashtë shërbimit gjatë 20 ditëve të protestës së opozitës. Ata shpresojnë që bashkë me to t’u akordohet edhe fondi për paratë e ushqimit, pavarësisht se ministri i Brendshëm ka kërkuar që kjo e drejtë t’u hiqet përfundimisht.

Rreth një muaj më parë policia lëvroi fondin për orët suplementare të të gjithë punonjësve të policisë në vend, ku nga të dhënat rezultonte se ato ishin paguar për vitin 2009 vetëm në Komisariatin e Burrelit. Fondi iu kalua gjithë strukturave të policisë dhe mbetej vetëm ndarja e tyre në llogaritë personale të punonjësve të policisë, që prej kohësh prisnin të merrnin paratë për orët e shërbimit që kanë kryer jashtë orarit zyrtar. Më problematikja në këtë aspekt mbetej Drejtoria e Policisë së Tiranës, e cila kishte kryer orë shërbimi jashtë orarit më shumë se gjithë drejtoritë e tjera dhe kompensimi ishte me vlerë më të lartë monetare.
Mospagesa e orëve suplementare binte ndesh jo vetëm me ligjin e policisë, por edhe me kontratën kolektive, si dhe Kodin e Punës. Pikërisht në kontratën kolektive, në nenin 5 të saj, është përkufizuar koha normale e punës dhe shtesat mbi pagë për kohëzgjatjen e saj. Sipas këtij neni, në sistemin e punës së shërbimit policor, koha normale javore e punës është 40 orë. Orari i punës përcaktohet në përputhje me interesat e palëve, përjashtuar rastet e përcaktuara me ligj dhe specifikat konkrete të vendit të punës.
Gjithashtu, në nenin 5 deklarohet se punëdhënësi duhet të respektojë të drejtat e punëmarrësve sipas përcaktimeve të Kodit të Punës. Në nenin 90 të Kodit të Punës deklarohet se për punë suplementare, si dhe kur kërkohet për emergjenca të ndryshme për situata jo të zakonshme, sasia e orëve nuk mund të jetë më shumë se 10 orë në javë”. Ndërsa në nenin 91 shtohet se orët suplementare mund të kompensohen me pushim ose me pagesë shtesë 25% më shumë se orët normale. “Orët suplementare të kryera gjatë ditëve të pushimit javor ose të ditëve të festave zyrtare kompensohen me pushim ose pagë të paktën 50% më shumë se orët suplementare të bëra ose paga normale. Kompensimi duhet të jepet jo më vonë se periudha 2 muaj nga dita e kryerjes së punës ose shërbimit”, deklarohet në Kodin e Punës.
Punonjësit e policisë, por edhe sindikata, shpesh herë kishin ngritur zërin se këto para po u mohohen dhe përgjigjja ka qenë mungesa e fondeve. Megjithatë, ky fond u lëvrua dhe dy ditë më parë, ka kaluar në llogarinë e punonjësve të policisë. Në fund të vitit, ministri i Brendshëm premtoi se do paguante gjithë orët suplementare dhe tashmë ka filluar shpërndarja e tyre. Burimet policore bënë të ditur se fondi u është shpërndarë gjithë strukturave sipas “borxheve” që u kanë punonjësve të policisë që kanë punuar jashtë orarit për aktivitete të ndryshme, duke filluar që nga ndeshjet e futbollit, masat në sezonin turistik, apo masa të tjera, e deri te fushata elektorale gjatë vitit që kaloi.
Nga fillimi i vitit 2009, punonjësit e policisë nuk përfitonin asgjë për punën suplementare, pavarësisht se atyre u numërohen rreth 480 orë pune më tepër për person se sa u takon me ligj. Sipas ligjit, ata duhet të punojnë vetëm 40 orë në javë ose në të kundërt të shpërblehen, por pavarësisht se kanë punuar më shumë, nuk u ishte dhënë asnjë shpërblim. Duke u nisur nga situata e rënduar, e krijuar gjatë vitit 2009, në fund të muajit dhjetor, pikërisht në një nga analizat e policisë, Basha u ka premtuar zyrtarisht se në vitin 2010 nuk do të kalojë pa u paguar sipas ligjit asnjë orë suplementare për punën që ata kryejnë për mbrojtjen e sigurisë publike.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›