Inaugurohet sot tuneli i Kalimashit, 70 kamera sigurie
Tuneli 6 kilometra i gjatë i rrugës Rrëshen-Kalimash hapet sot në orën 10.00 për të gjithë drejtuesit e automjeteve. Mësohet zyrtarisht se i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit do të jetë edhe ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi. Ministria jep konfirmimin se të gjitha punimet shtesë janë mbyllur.
“Tuneli i Thirrës u mbyll me qëllim që t’i mundësohej kompanisë ndërtuese të përfundonte instalimin e këtyre pajisjeve elektromekanike, si dhe për të sistemuar presionin e krijuar nga një shtresë gjeologjike jo e qëndrueshme në një segment të vogël të tunelit”, është njoftimi i ministrisë. Punimet elektromekanike dhe të sistemeve të kontrollit të trafikut janë instaluar dhe integruar plotësisht në një sistem të kontrollit qendror që përfshin 26 ventilator të mëdhenj ajrimi, më shumë se 70 kamera, sinjalistikën e mesazheve, një sistem kundër zjarrit në të gjithë tunelin, sistem telefonik në rast emergjence, si dhe ndriçimin normal dhe atë të sigurisë.
Rruga Rrëshen-Kalimash i ka kushtuar buxhetit të shtetit të paktën 1 miliard dollarë, megjithatë ende nuk ka një faturë zyrtare të pranuar nga qeveria, por vetëm duke iu referuar kostos së një kilometri, që në 2009-n arriti në 14 milionë dollarë. Punimet për rrugën nisën në fund të vitit 2006, ndërsa u mbyllën me inaugurimin e tre kryeministrave në prag të zgjedhjeve parlamentare të 2009-s.
#