E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet, kontrolle dhe gjoba në rrugët e Shkodrës

02/08/2009  Masat nga drejtoria e policisë rrugore, shkak vdekjet e larta në akset rrugore

Aksioni pritet të vijojë edhe në ditët në vazhdim deri në fund të gushtit

SHKODER- Sektori i qarkullimit rrugor pranë komisariatit të policisë së Shkodrës po punon intensivisht për normalizimin e trafikut në qytet. Ndërkohë drejtuesit dhe efektivat e këtij sektori po zhvillojnë aksione të vazhdueshme për kontrollimin e të gjitha dokumentacioneve të automjeteve dhe zbatimit të rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e tyre. Aksionet kanë sjellë si rezultat vendosjen e gjobave të konsiderueshme për drejtuesit e automjeteve, çka pritet të ndikojë dukshëm në zvogëlimin e aksidenteve dhe mënjanimin e problemeve të qarkullimit në të gjitha rrugët e qytetit të Shkodrës. Domosdoshmëria e aksioneve të gjera erdhi si rrjedhojë e mosrespektimit të shenjave të qarkullimit rrugor, shtimit të fluksit të automjeteve nga ardhja e emigrantëve si dhe dy aksidentet e javës së kaluar, ku humbën jetën 6 persona dhe u plagosën rëndë 3 të tjerë. Kontrollet e shumta të efektivave të policisë së qarkullimit rrugor janë organizuar dhe përqendruar në akset kryesore të qytetit të Shkodrës, ku fluksi i automjeteve dhe rrezikshmëria e aksidenteve është tepër e madhe. Kontrollet e nisura prej disa ditësh kanë sjellë ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, të cilët krijojnë mjaft shqetësime në trafikun e qytetit të Shkodrës, që po vijon të mbetet problematik. Në kuadër të këtyre aksioneve, të cilat synojnë parandalimin e aksidenteve në rrugët e Shkodrës si dhe zbatimin e ligjit nga të gjithë drejtuesit e mjeteve motorike, policia rrugore edhe gjatë dy ditëve të fundit ka ndërmarrë aksione në akset kryesore, duke filluar që nga kryqëzimi i sheshit të lagjes “Parrucë”, pranë rrethrrotullimit te Radio Shkodra, në kryqëzimin e lagjes “Rus” dhe te kryqëzimi pranë stacionit të trenit. Ndërkohë kontrollet janë përqendruar së tepërmi në rrugën e Velipojës, në aksin problematik Shkodër–Lezhë si dhe në aksin e zonës turistike Shirokë–Zogaj. Kontrollet janë pasuar me bllokime të një sërë mjetesh pa dokumentacionet përkatëse dhe ndëshkimet e drejtuesve që nuk respektojnë Kodin e Qarkullimit Rrugor. Shefi i policisë së qarkullimit rrugor pranë komisariatit të Shkodrës Agron Guri shprehet se ky është një aksion i vazhdueshëm, që do të vijojë edhe në ditët e tjera, ndërkohë që u bën thirrje drejtuesve të motoçikletave që të lëvizin me skafandra dhe të mbajnë me vete dokumentacionin përkatës të mjeteve të tyre motorike, pasi përndryshe motorët do të sekuestrohen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›