E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qyteti Studenti rrit taksën për të rinjtë e verës

Kështu, ndryshe nga një vit më parë, kur kjo tarifë ishte 5 mijë lekë të reja në muaj, këtë vit ajo është 7 mijë lekë të reja në muaj. Një shumë eshte konsideruar shume e larte nga ana e studentëve 

TIRANE-Të rinjtë që janë në shkollë të lartë dhe që gjatë verës kanë zgjedhur Qytetin Studenti për t'u strehuar, këtë vit duhet të paguajnë një shumë mjaft të majme për qira. Kështu, ndryshe nga një vit më parë, kur kjo tarifë ishte 5 mijë lekë të reja në muaj, këtë vit ajo është 7 mijë lekë të reja në muaj. Një shumë kjo jo vetëm mjaft e lartë për studentët që bëjnë punë të ndryshme sezonale, por edhe e pajustifikueshme për kushtet që ofron. Duhet mbajtur parasysh se kjo tarifë është e vlefshme vetëm për një krevat dhe dhomat, të cilat përveç një dysheku dhe një dollapi të vogël rrobash nuk ofrojnë asgjë tjetër, ndahen zakonisht midis tri personave. Vetë studentët janë të pakënaqur me këtë rritje tarifash, pasi ata shprehen se pagat që ata marrin për punët sezonale janë shumë të vogla. "Unë marr 20 mijë lekë në muaj dhe nga këto 7 mijë lekë është vetëm tarifa e dhomës, e cila nuk ka asgjë brenda", - tregon Ana, njëra nga studentet që ka zgjedhur të qëndrojë në qytetin e të rinjve. Më tej ata shpjegojnë se në drejtorinë e Qytetit Studenti u është thënë se tarifa për këtë vit është rritur, për shkak se të rinjtë harxhojnë shumë energji dhe fatura që duhet t'i paguajë OSSH-së ky institucion është shumë e lartë. Megjithatë, nëse bëjmë një llogari të thjeshtë dhe në çdo dhomë vendosim tre persona, i bie që qiraja e një muaji të jetë 21 mijë lekë të reja, një shumë kjo me të cilën tre persona mund të ndajnë fare mirë edhe një shtëpi, që së paku ka mobiliet më të domosdoshme dhe banjën nuk do të të duhet ta ndash me të gjithë katin.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›