E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të huajt sulmojnë 67-vjeçarin shqiptar

21/05/2009  Dhunë në Athinë

GREQI- Një emigrant shqiptar në moshë të thyer është bërë objekt i dhunës së egër fizike dhe grabitjes, nga dy shtetas të huaj me qëndrim të dyshimtë në Greqi. Agjencitë e lajmeve helene duke ju referuar burimeve të policisë greke, raportojnë se ngjarja ka ndodhur në afërsi të sheshit “Omonia” në kryeqytetin grek, Athinë. Sipas mediave 67-vjeçari shqiptar, emri i të cilit nuk publikohet, është përballur në orët e para të ditës së djeshme me dy personat e dhunshëm. “Ne konstatuam se ishte një shtetas irakian, 24-vjeçar dhe një shtetas tjetër i huaj, nga Mauritania, 26 vjeçar, të cilët i zunë pritë në rrugën pranë sheshit “Omonia” shtetasit shqiptar 67-vjeçar, duke e grabitur atë me anë të përdorimit të dhunës fizike”, ka konfirmuar policia e shtetit helen. Dy emigrantët e goditën me hekura në kokë 67-vjeçarin shqiptar dhe pasi e rrëzuan pa ndjenja në tokë, i rrëmbyen çantën që mbante në duar ku ndodhej një sasi e konsiderueshme eurosh dhe u zhdukën në drejtim të paditur. Ndërkohë që për arrestimin e tyre ka nisur një operacion, i bazuar në të dhënat që i dha policisë, 67-vjeçari shqiptar, emigrant i rregullt në Greqi. I dëmtuari pasi mori mjekim në spitalin shtetëror të Athinës, ndihmoi agjentët e policisë të skicojnë identikitët e agresorëve dhe pas kësaj, bazuar në skedat policore, u identifikuan dy të dyshuarit, të cilët u arrestuan. Policia tha se mauritanezi dhe irakiani pranuan të ishin ata autorë të grabitjes. Gjatë marrjes në pyetje të arrestuarit janë përgjigjur se 67-vjeçarin shqiptar kishin disa ditë që e vëzhgonin dhe pasi kanë gjendur momentin e duhur ata kryen dhe veprimin kriminal. Përpara grupit hetimor irakiani dhe shtetasi tjetër mauritan shfaqën pendesë. Ndërkaq po dje ata u dërguan në mesditë në gjykatën e Athinës, ku prokurori kërkoi arrest në burg deri në përfundim të hetimit, kërkesë që u pranua nga gjykatësi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›