Vendimi i KQZ-së, listat e hapura deri më 27 maj
Komisioni vendosi të mos miratojë asnjë prej listave nga forcat politike në çdo qark, në rast se në vetëm njërën prej tyre do të ketë probleme
TIRANË- Liderët e partive politike do të kenë mundësi që deri në datën 27 maj të ndryshojnë listat shumemërore të kandidatëve për deputetë.
Nuk bëhet fjalë për vendim të posaçëm nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por për një mundësi që krijohet indirekt nga një vendim tjetër që ka marrë dje në mbrëmje ky komision, për të mos miratuar asnjë prej listave të paraqitura nga forcat politike në çdo qark, në rast se në vetëm njërën prej tyre do të ketë një problem, sado i parëndësishëm që mund të jetë.
Diskutimi
Para se të arrihej në këtë vendim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është përfshirë në një debat të gjatë për këtë çështje, pa mundur që të gjejë një zgjedhje të mesme. Kjo pasi përfaqësuesit e majtë dhe më konkretisht, nënkryetarja e KQZ-së, Deshira Subashi, ka kërkuar që listat të miratohen sipas praktikës së parashikuar edhe nga administrata, pra, fillimisht për çdo qark dhe në fund për të gjitha qarqet së bashku.
"Duhet të ndjekim një praktikë të thjeshtë, ku të mbyllim diskutimin me votimin e çdo qarku me radhë dhe pastaj në fund të miratojmë të gjithë aktin në tërësinë e vet", - tha Subashi. Por, sipas përfaqësuesit të PD-së në këtë komision, Njazi Kosovrasti, është e pakuptimtë që listat e qarqeve të miratohen të veçuara dhe më pas në tërësi.
Ndaj këtij argumenti ka reaguar përsëri Subashi, e cila ka deklaruar se në këtë mënyrë u krijohet mundësia partive politike që të ndryshojnë listat e kandidatëve deri në 32 ditë para datës së zgjedhjeve, pasi në bazë të kodit, partitë nuk mund t'i ndryshojnë listat vetëm pas vendimit përfundimtar të KQZ-së.
Këtij argumenti i është bashkuar edhe përfaqësuesi socialist në KQZ, Genci Gjonçaj, i cili ka akuzuar KQZ-në se në mënyrë të qëllimshme po linte hapur listat e kandidatëve, në mënyrë që krerët e partive të bënin ndryshime në to sa herë që të donin.
"Dyshoj se ju nuk bëni politikën e KQZ-së, por të PD-së. Kam autorizimin t'u them se ne do shikojmë pjesëmarrjen në KQZ nëse vazhdoni kështu", - tha Gjonçaj, duke debatuar ashpër me kreun e KQZ-së, Arben Ristani.
Këmbëngulja e kreut të KQZ-së për të mos miratuar me radhë listat për secilin qark, ka detyruar përfaqësuesit socialistë që të largohen nga salla.
Vendimi
Edhe largimi i përfaqësuesve socialistë nga mbledhja nuk ka penguar anëtarët e djathtë të KQZ-së që të rrëzojnë propozimin për të miratuar listat një e nga një dhe të miratojnë propozimin tjetër: miratimin e të gjitha listave e qarqeve në një vendim të vetëm, duke lënë kështu të hapur ato për ndryshime, në rast se vetëm në njërën prej tyre do të ketë probleme teknike të plotësimit të dokumentacionit.
"Emrat nuk mund të ndryshohen pas vendimit përfundimtar të KQZ -së. Me logjikë normale, kjo do të thotë se para këtij vendimi mund të ndryshohen dhe emrat dhe renditja", - tha Ristani.
Në këtë mënyrë, pas këtij standardi që vendosi dje KQZ-ja, të gjitha partitë politike që për arsye të ndryshme kanë sjellë lista me mangësi në dokumentacion, mund t'i ndryshojnë ato deri në 32 ditë para datës së zgjedhjeve, kur ky institucion duhet të ketë marrë vendimet përfundimtare për secilën forcë.
Kjo mund të krijojë një precedent të rrezikshëm që mund të kthehet në fenomen, pasi vetëm dje, nga 8 forca politike që u morën në shqyrtim nga KQZ-ja, vetëm njëra prej tyre nuk kishte probleme dhe u miratua në tërësi, ndërsa listat e shtatë të tjerave për mangësi teknike u shtynë, duke i lënë, si rrjedhojë, të hapura për t'u ndryshuar.