Aksidentet në det, kontroll të rreptë për motorët e ujit
Rreth 25 mjete të shpejta motorike, të tipit Jet-ski, që përdoren nga të pasionuarit e lojërave në ujë, do jenë nën kontroll të plotë të policisë. Lëvizja e tyre mbahet nën kontroll të vazhdueshëm nga struktura të policisë kufitare, për të parandaluar ngjarje të jashtëzakonshme me plazhistët që kanë mbipopulluar në këtë sezon qytetin bregdetar. Mjetet e shpejta motorike, që gjatë këtij sezoni janë shtuar dukshëm në bregdetin e Sarandës, janë në objektin e vëzhgimit dhe kontrollit të vazhdueshëm që ushtron struktura e policisë kufitare. Ilir Gjoça, shef i komisariatit të kufirit, është shprehur se kontrolli mbi këto mjete ka pasur në radhë të parë verifikimin nëse pronarët e tyre janë të pajisur me gjithë dokumentacionin ligjor. Sipas tij, nga ky kontroll ka rezultuar se të gjithë janë me dokumentacion të rregullt të pronësisë dhe lejes së lundrimit. Pas kësaj, kontrolli mbi to është i përditshëm, për t‘i bërë ata të parrezikshëm për plazhistët.