E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet, plagosen rëndë edhe tre persona

Tre aksidente të tjera rrugore janë shënuar gjatë 24 orëve të fundit në Tiranë, duke sjellë edhe tre të plagosur, ndër të cilët janë dy drejtues motorësh. Sipas policisë, rreth orës 07:30 është njoftuar se te Kthesa e Kamzës, përballë karburant "Urani", një mjet i paidentifikuar ka përplasur motorin "Lifan", pa targa, të drejtuar nga Leonard Gjika, 22 vjeç, banues në Tiranë, i cili është aksidentuar e ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Seksioni i hetimit të aksidenteve ka nisur punën për identifikimin dhe kapjen e autorit. Gjithashtu, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për Fatmir Dragjoshin, 45 vjeç, banues në Paskuqan, sepse rreth orës 18:20, në rrugën dytësore Vorë-Tiranë, te firma "Global Gaz", duke drejtuar mjetin "Peugeot" me targa të huaja AL473NS, ka aksidentuar motoçiklistin Ervin Qosellari, 19 vjeç, banues në Domje, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa në aksidentin e tretë është plagosur një këmbësor. Në lidhje me këtë aksident filloi procedimi penal në gjendje të lirë për Ritvan Dacin, 56 vjeç, banues në Tiranë, sepse në orën 19:35, në rrugën "Siri Kodra", te firma "Kliti", duke drejtuar motorin "Ylndong", pa targa, ka aksidentuar këmbësorin Selman Osmani, 26 vjeç. Ky person ndodhet në spital dhe është në gjendje të rëndë shëndetësore. Ndërkohë, në Korçë, një person ka mbetur i plagosur në një aksident tjetër. Vasil Kodra është përplasur nga një mjet, teksa po shkonte në punë me biçikletë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›