E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, Asambleja voton për "Ramën"

Me 15 vota kundër, rezoluta e propozuar nga kryetari në detyrë i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka arritur të marrë pëlqimin e shumicës së anëtarëve të Asamblesë Kombëtare. Kreu i kësaj të fundit, Gramoz Ruçi, deklaroi vendimet e marra pas mbledhjes nga forumi më i lartë vendimmarrës midis dy kongreseve. Sipas Ruçit, në punimet e Asamblesë diskutuan mbi 35 shokë dhe shoqe dhe në përfundim u vendos të miratohej me votim të hapur rezoluta e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Duke iu referuar pikave të kësaj rezolute, Ruçi tha se ajo i konsideron zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit se nuk kanë përmbushur standardet ndërkombëtare dhe bën përgjegjës Kryeministrin Berisha dhe qeverinë e tij për "deformimin e qëllimshëm të procesit zgjedhor". Në pikën e dytë të rezolutës, shkruhet se rezultati i zgjedhjeve është "i papranueshëm dhe shprehje e deformuar e vullnetit të zgjedhësve, para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 28 qershorit". Në pikën e tretë, Rama thotë se çdo produkt i këtyre zgjedhjeve është me legjitimitet të cunguar dhe zgjedhjet e parakohshme, janë objektiv i imponuar për t‘i dhënë sovranitet të pakontestueshëm politik Parlamentit dhe mandat legjitim qeverisë. Në pikën e katërt të rezolutës së firmosur nga kreu i Partisë Socialiste dhe mbështetësit e tij thuhet se "PS distancohet nga çdo rrugë për t‘i imponuar asaj dhe opozitës miratimin pa kushte të një rezultati zgjedhor që nuk shpreh vullnetin e lirë të popullit". Ndërsa në pikën e pestë sqarohet qëndrimi se Partia Socialiste nuk do të bojkotojë punimet e Kuvendit. PS është e palëkundur për të bërë deri në fund transparencë të procesit me gjithë instrumentet ligjore dhe kushtetuese. Një tjetër vendimmarrje e djeshme e forumit të lartë të socialistëve ishte thirrja e Kongresit të Partisë më datën 29 gusht, ora 11.00 në Pallatin e Kongreseve ku dhe do të merren në shqyrtim dy çështje. Qëndrimi i Partisë Socialiste për zgjedhjet e 28 qershorit dhe së dyti problemi organizativ për zbatimin e neneve të statutit pas zgjedhjeve. "Në asnjë rast, në asnjë moment, asnjë aktor apo faktor i Partisë Socialiste deri më sot nuk ka shfaqur asnjë ide për të mos marrë pjesë në Parlament", tha Ruçi. Kushdo në këtë vend, tha Ruçi duke iu referuar rikandidimit të Ramës, është i lirë të zgjedhë dhe të zgjidhet. Kreu i Asamblesë Kombëtare sqaroi publikisht se ka mbështetur gjatë debateve në Asamble, rezolutën e propozuar nga kryetari i Partisë Socialiste. Ruçi ironizoi median teksa tha se ishin të pakuptimta hamendjet nëse do të zbatohej statuti brenda partisë më të madhe politike apo jo. Ruçi tha se këtë shenjë të zbatimit të statutit e dha vetë Rama i cili propozoi rezolutën, por edhe thirri Kongresin e Partisë Socialiste.

Çfarë parashikon Kodi për procesin elektoral brenda partisë

Kongresi i 29 gushtit

vendos për fatin e

Ramës në krye të partisë

Kandidimi? Blushi e Malaj s‘konfirmojnë ende

Në mbledhjen e djeshme të Asamblesë Kombëtare, Edi Rama, ka pranuar se do të zbatojë statutin e partisë dhe si rrjedhojë e kësaj ka propozuar thirrjen e Kongresit të Jashtëzakonshëm më 29 gusht. Kongresi pritet të vendosë kalimin në proces zgjedhor të brendshëm për kreun e partisë. Pas kësaj vendimmarrjeje të pritshme nga Kongresi hyn në lojë Kodi Zgjedhor i Partisë Socialiste. Teksa Rama ka lënë të kuptohet se mund të rikandidojë sërish për të mbajtur postin e kryetarit nuk ka pasur deklarata të qarta nga "sfidantët" Ben Blushi dhe Arben Malaj. I pari tha se nuk ia kishte bërë këtë pyetje vetes, ndërsa i dyti pohoi se do merrte pjesë nëse gara nuk do konceptohej si sherr. Ky dokument parashikon që Kongresi i PSSH-së administron kandidaturat për kryetar të PSSH-së dhe vendos datën e zhvillimit të votimit nga anëtarësia e partisë në shkallë vendi jo më vonë se 2 muaj nga data e zhvillimit të Kongresit. Emrat e kandidatëve të regjistruar nga Kongresi i dërgohen Komisionit Zgjedhor të Partisë brenda 48 orëve nga sekretari i Përgjithshëm i PSSH. Kandidatët për kryetar, brenda 3 ditëve nga mbyllja e Kongresit, regjistrohen në KZP ku paraqesin si dokumente: kërkesën me shkrim drejtuar Kongresit, vendimin e Kongresit për miratimin e kandidaturës për konkurrim dhe emrin e mbiemrin e përfaqësuesit zyrtar të tij pranë KZP dhe pikat e kontaktit. Asnjë kandidat nuk mundet të marrë pjesë në zgjedhje si i tillë nëse nuk është regjistruar në këtë procedurë. Lista e zgjedhësve përgatitet nga KZP dhe përfshin anëtarët e partisë të regjistruar si të tillë deri në datën kur merret vendimi nga organi përkatës i PSSH-së për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar të PSSH-së. Asambletë socialiste në rrethe/bashki dërgojnë në KZP, listat e zgjedhësve të firmosura nga Kryetari e Sekretari Organizativ dhe në formë elektronike jo më vonë se 10 ditë nga data e vendimit për zhvillimin e zgjedhjeve. Lista e zgjedhësve shpallet në vendvotimet përkatëse 10 ditë para ditës së zgjedhjeve. Nëse kërkohet, i jepet një kopje e listës së zgjedhësve çdo kandidati për kryetar. Sipas Kodit Zgjedhor, Komisioni Zgjedhor i Partisë, pasi merr tabelat përfshirëse të rezultateve nga të gjitha komisionet e dyta e të treta, harton tabelën përfundimtare të rezultatit. Mbi bazën e të dhënave të pasqyruara në tabelën përfundimtare KZP, në përputhje me statutin e PSSH-së, pika 18.7, i konsideron zgjedhjet të vlefshme kur në to kanë marrë pjesë jo më pak se 50% plus 1 të anëtarëve të partisë të regjistruar në listën e zgjedhësve, plotëson procesverbalin dhe shpall si fitues kandidatin i cili ka marrë 50% plus 1 të votave të vlefshme. Nëse asnjë nga kandidatët nuk ka marrë numrin e nevojshëm të votave të vlefshme, zgjedhjet përsëriten në një datë sa më të afërt që caktohet nga Kryesia e PSSH me propozim të KZP-së.

Blushi:

Fitore që bindëm Asamblenë

që PS të hyjë në Parlament

Anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste, i cili kryeson listën e rezolutës së dytë të paraqitur në Asamble, Blushi konsideroi si fitore të këtij grupi dhe kësaj fryme vendimin për të hyrë në Parlamentin e ardhshëm. Por, sipas tij, opozita duhet të jetë realiste, të njohë atë që ka ndodhur më 28 qershor dhe të jetë e pranishme në Kuvendin e ri. "Për shkak të asaj që ndodhi më 28 qershor dhe nuk ndodhi ajo që ne prisnin, PS duhet të hyjë në një proces normal të një reflektimi të strukturave të saj duke respektuar rregullat e statutit", u shpreh Blushi. Duke bërë një analizë më të thellë, Blushi vërejti se nuk zgjedhjet e 28 qershorit nuk janë humbje personale e Ramës, por në këtë mes, ka humbur filozofia e tij. Në rezolutën e paraqitur nga anëtari i kryesisë të PS-së, Ben Blushi, dënohen veprimet e qeverisë për deformimin e zgjedhjeve ashtu si në rezolutën e Ramës, por kërkohet të pranohet humbja.

Malaj:

Partia Socialiste duhet të

njohë rezultatin zgjedhor

Arben Malaj, një prej firmëtarëve të rezolutës që mban emrin e Ben Blushit, vërejti dje se PS duhet të njohë rezultatin zgjedhor të 28 qershorit. "Pas rezultatit përfundimtar të KQZ-së, ku u miratuan mandatet duhet të pranojmë rezultatin. PS nuk mund të humbasë më kohë me debate për rezultatin zgjedhor, ajo duhet të përgatitet me një vizion të gjatë se si do ta rikthejë kredibilitetin politik, si do t‘u kthejë shqiptarëve besimin", theksoi Malaj. Ndërkohë, sipas Malaj, pjesëmarrja në Parlament do ta lejojë opozitën të identifikojë problematikat në lidhje me deformimin e procesit zgjedhor. "Opozita parlamentare nuk do të thotë se PS heq dorë nga vlerësimet e saj kritike për deformimet e mëdha që pati procesi zgjedhor. Pjesëmarrja jonë në Parlament na lejon të identifikojmë problematikat", u shpreh Malaj.

Replika midis funksionarëve të lartë mbi dy rezolutat e propozuara dhe kryetarin e partisë

Nëntë orë debate mes socialistëve,

pas dyerve të mbyllura të Asamblesë

Anëtarët e Asamblesë Kombëtare, të rinj e të vjetër, nuk mundën t‘u shpëtonin debateve e mendimeve të ndryshme lidhur me dy rezolutat e rrymat e ndryshme që janë kristalizuar edhe më parë në PS. 35 anëtarë të Asamblesë, më shumë se kurrë më parë, kanë marrë fjalën njëri pas tjetrit, duke u shprehur pro ose kundër, kanë replikuar apo debatuar mes tyre, gjithmonë rreth dy qëndrimeve, atë të zgjedhjeve dhe dorëheqjes së kreut të PS-së. Larg parashikimeve, mbledhja nisi menjëherë me dyer të mbyllura, duke e tensionuar disi situatën. Anëtari i Kryesisë, Ben Blushi, kërkoi që mbledhja të zhvillohej e hapur dhe të lejoheshin mediat. Kërkesa është hedhur në votim, duke mos e pranuar propozimin. Por ajo shkaktoi disa reagime. Kreu i AK-së, Gramoz Ruçi, pas kërkesës së Blushit deklaroi se "nuk mund të bëjmë këtu KPD-në e vitit 2001". Fjalën e pasoi një tjetër anëtar, Ylli Manjani, i cili deklaroi se "kjo mbledhje nuk duhet të transmetohet direkt nga mediat, sepse është një mbledhje e turpshme". Pas këtij propozimi jashtë rendit të ditës janë lexuar dy rezolutat. Rezoluta e parë është lexuar nga kryetari Edi Rama. Në përfundim të fjalës së tij, ish-deputetja Rajmonda Stefa ka ndërhyrë, duke i kërkuar publikisht ndërprerjen e mandatit. "Këtë kam thënë në rezolutë, që do zbatohet statuti", është përgjigjur kryesocialisti. Mjaft domethënëse ishte deklarata e ish-kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi, i cili dha një mesazh të qartë për socialistët. Ai iu përmbajt tezës së bashkimit të socialistëve dhe nevojës për të mos rënë pre e diversioneve të Berishës. "Nuk duhet të përçahemi. Duhet të bëjmë një analizë dhe të mos biem pre e diversioneve të Berishës. Por duhet të vijojmë punën. Së pari, duhet ngritur një grup pune për hetimin e parregullsive të zgjedhjeve dhe se sa ato kanë ndikuar në rezultat", tha Pëllumbi. Rezoluta e Ben Blushit është paraqitur nga Mimoza Hafizi. Një prej firmëtareve dhe më pas edhe Ben Blushi ka mbajtur fjalën e tij. Blushi ka bërë një analizë të rezultatit të zgjedhjeve, duke u ndalur te mungesa e një programi dhe kauze. Por, sipas tij, nuk ka humbur Rama personalisht, por filozofia e tij. Blushi tha se opozita duhet të kthehet në Kuvend dhe aty të ketë rolin e saj për të bërë opozitë kundër kësaj qeverie dhe për të ndihmuar në hapat e integrimit të Shqipërisë në BE. Blushi ka konstatuar si shkaqe të humbjes çarjen e së majtës, mungesën e programit për të cilin ai tha se nuk kam parë asnjë faqe të tij dhe dështimin e filozofisë së Ramës. Blushi ka deklaruar se koalicioni PD-LSI u krijua nga Partia Socialiste me qëndrimet që mbajti dhe se konflikti nuk ishte PS-LSI, por Rama-Meta. Pas Blushit, ka folur edhe anëtari i Kryesisë, Arben Malaj. Duket se kundërshtarët nuk kanë pranuar të dëgjojnë fjalët e njëri-tjetrit. Në momentin kur Malaj mbajti fjalimin e tij, Rama u largua për të pirë një kafe me deputetët Luiza Xhuvani dhe Fidel Ylli, duke mbërritur sërish në sallë në fund të fjalimit, ashtu sikundër u largua Braçe kur foli Ben Blushi. Por, ashtu si mendimet ndryshe, reagimet kanë pasur herë pas here tone ironike për qëndrimet e ndryshme që u vunë re në sallë. Damian Gjiknuri ishte mjaft kritik ndaj atyre që deri dje ishin këshilltarë të fushatës dhe sot kanë ndryshuar qëndrim. "Disa njerëz që ishin këshilluesit tanë, tani janë kthyer menjëherë kundër", është shprehur ai. Për të vijuar me deklaratën e një tjetër mbështetësi të Ben Blushit, Marko Bello. Bello është shprehur se PS-ja i ka humbur zgjedhjet, duke hedhur kritika për koalicionin që u ndërtua nga ana e kësaj partie. Ndërsa deputeti Taulant Balla u shpreh për zgjedhjet dhe standardet e tyre. "Në asnjë moment e kontekst dhe për interesat e askujt ne nuk duhet ta çojmë rezultatin e këtyre zgjedhjeve të pranueshme. Këto zgjedhje janë të papranueshme politikisht dhe për këtë shkak nga sot ne na lind detyra dhe misioni për të kërkuar zgjedhje të parakohshme". Për sa i përket kreut të PS-së, Edi Rama ka qëndruar i tërhequr dhe ka dëgjuar me vëmendje gjithë mendimet e shprehura në sallë. "Unë do flas në Kongres", u shpreh ai.

Rezoluta "Rama" që u miratua

Asambleja vendosi që:

1. T‘i konsiderojë zgjedhjet e 28 qershorit një mundësi të humbur për të përmbushur në një moment kyç të historisë sonë bashkëkohore standardet demokratike europiane dhe aspiratat e popullit shqiptar për zgjedhje të lira e të ndershme, duke bërë përgjegjëse qeverinë e Sali Berishës për deformimin e qëllimshëm të procesit e të rezultatit të tij

2. Ta vlerësojë rezultatin e këtyre zgjedhjeve të papranueshëm, si një shprehje e deformuar e vullnetit të zgjedhësve nga manipulimi dhe korrupsioni elektoral para, gjatë dhe pas 28 qershorit

3. Të konsiderojë me legjitimitet thellësisht të cunguar çdo produkt institucional dhe politik të rezultatit të këtyre zgjedhjeve, duke shprehur bindjen se zgjedhjet e parakohshme janë një objektiv i imponuar për t‘i dhënë sovranitet të pakontestueshëm politik Parlamentit dhe mandate politikisht legjitime qeverisë së vendit

4. Të distancohet hapur nga çdo rrugë e përpjekje për t‘i imponuar Partisë Socialiste, opozitës në tërësi e opinionit publik, miratimin pa kushte të një rezultati zgjedhor, që nuk shpreh vullnetin e lirë të popullit shqiptar dhe të nxisë komunikimin intensiv të kësaj force të madhe politike me qytetarët shqiptarë e komunitetin ndërkombëtar për gjendjen kritike të demokracisë në vend

5. Të afirmojë vullnetin e palëkundur të Partisë Socialiste për të bërë deri në fund transparencën e plotë të procesit zgjedhor me të gjitha instrumentet ligjore e kushtetuese; të shprehë predispozitën e plotë të forcës sonë politike për të përdorur çdo mjet demokratik për këtë qëllim, si edhe të bëjë publikisht të qartë angazhimin tonë për një opozitë pa kompromis me një qeveri pa mandate politikisht legjitime

Rezoluta "Blushi" që u rrëzua

a) Dënohen të gjitha veprimet e qeverisë e të PD-së, të drejtuara nga Sali Berisha lidhur me të gjitha mangësitë dhe deformimet e zgjedhjeve

b) Përcakton si përgjegjëse kryesore për mosrritjen e standardeve për zgjedhje të lira e të ndershme qeverinë e drejtuar nga Sali Berisha, PD-në dhe përfaqësuesit e PD-në në KQZ

1. Angazhohet të përgatisë një analizë të thelluar të humbjes dhe të identifikimit të shkaqeve të rezultatit zgjedhor përmes një platforme, ku përcaktohen masat për përmirësimin e situatës dhe përgatitjen për ballafaqimet e ardhshme elektorale, të cilat duhet të diskutohen dhe miratohen në një Kongres të Jashtëzakonshëm, pasi të jenë kryer të gjitha këto veprime në organizatat dhe forumet e zgjedhura të partisë

2. Angazhohet dhe kërkon respektimin rigoroz të të gjithë rregullave statutore lidhur me përgjegjësitë për humbjen e zgjedhjeve dhe funksionimin e institucioneve e të forumeve të partisë

3. Kërkon zhvillimin e veprimit politik opozitar në Kuvendin e Shqipërisë dhe distancohet nga çdo nismë apo qëndrim që çon në bojkotimin e Kuvendit dhe e largon grupin kuvendor apo forumet e partisë nga veprimi institucional

4. Nuk pajtohet me çdo veprim që synon goditjen e të gjithë atyre që mendojnë ndryshe, duke kërkuar në të kundërt zhvillimin e një fryme gjithëpërfshirëse, solidariteti e pune të përbashkët në ekip

5. Kërkon përgatitjen e një strategjie efikase për marrjen e nismave që synojnë përmirësimin e institucionalizimin e marrëdhënieve bashkëpunuese me të gjithë aleatët e koalicionit "Bashkimi për Ndryshim", si edhe zgjerimit të marrëdhënieve bashkëpunuese me aleatë të tjerë brenda dhe jashtë Kuvendit të Shqipërisë, të gatshëm për zhvillimin e veprimeve opozitare, të përbashkëta në funksion të bashkëpunimit në ballafaqimet e ardhshme elektorale

6. Kërkon përmes grupit të saj kuvendor hetimin parlamentar të të gjithë deformimeve e parregullsive të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›