E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet në punë, punonjësit shpërblehen me ditë pune

Punonjësit do të mbrohen nga një ligj i ri që Këshilli i Ministrave e ka nisur në Kuvend për miratim. Projektligji për sigurinë dhe shëndetin në punë, parashikon një sërë normash dhe rregullash të reja për parandalimin e rrezikut në punë, mbrojtjen e shëndetit të punonjësve, si dhe dëmshpërblimin e tyre në rast dëmtimi. Kështu parashikohet që në rast se një punonjës dëmtohet lehtë në punë, edhe pse janë marrë të gjitha masat e sigurisë që i kërkon ligji, ai duhet të shpërblehet me 3 ditë punë. Nga ana tjetër, punëdhënësit duhet të mbajnë procesverbale për të gjitha aksidentet që ndodhin, të cilat më pas vlerësohen edhe nga Instituti i Sigurimeve dhe institucionet e tjera. Në projektligj parashikohet që ndërmarrjet deri në 50 punonjës do të kenë një përfaqësues të punëtorëve, i cili do të jetë edhe monitorues. Ndërsa në ndërmarrjet me mbi 50 punonjës, duhet të ngrihet një këshilli sigurie brenda ndërmarrjes. Punëmarrësit do të duhet që të paraqitin pranë Inspektoratit Shtetëror të Punës të gjitha verifikimet dhe vëzhgimet e tyre, por edhe t’i drejtohen këtij inspektorati sa herë që shohin se masat e tyre të sigurisë nuk janë të mjaftueshme.
Përfaqësuesi që merret me sigurinë dhe shëndetin e punonjësve në ndërmarrje do të duhet që të bëjë vizita të shpeshta për të parë kushtet e punës, t’i kërkojë punëdhënësit të marrë masat e nevojshme për shmangien e çdo rreziku, të informojë Inspektoratin e Punës për kushtet e sigurisë dhe të jetë pjesë e hartimit të çdo vlerësimi që ndodh në rast dëmtimi. Ndërkaq edhe Inspektorati i Punës do të bëjë kontrolle më të shpeshta dhe ka të drejtën t’i drejtohet Prokurorisë sa herë që sheh se masat e sigurisë nuk janë të mjaftueshme dhe përbëjnë rrezik për punonjësit. Ndërsa Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka për detyrë që të marrë masa për pagesën e të ardhurave në rast aksidenti në punë apo sëmundje profesionale, pensioni invaliteti apo pension familjar të të dëmtuarit nga aksidentet në punë sipas ligjeve përkatëse. Për sa i përket hetimit të aksidenteve të mundshme në punë, do të angazhohen edhe një sërë institucionesh të tjera si Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Ekonomisë, madje edhe Shërbimi Informativ Shtetëror. Ligji parashikon edhe sanksionet përkatëse, të cilat janë parashikuar në ligjin për Inspektoratin Shtetëror të Punës. Miratimi i këtij ligji është parë si domosdoshmëri dhe për më tepër ai ka ardhur edhe si kërkesë nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit. Këto nevoja marrin rëndësi kur lidhen me mbrojtjen dhe sigurimin e shëndetit në punë të punonjësve dhe përshtatjen e normave të duhura për sigurinë në punë.

Klasifikimi i aksidenteve në punë

Aksidente që shkaktojnë paaftësi të përkohshme në punë për më shumë se 3 ditë kalendarike
Aksidente që shkaktojnë invaliditet të përkohshëm ose të përhershëm
Aksidente me vdekje
Aksidente masive, ku të paktën dy ose më shumë persona dëmtohen në të njëjtën kohë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›