E Diel, 1 Nëntor 2026

Haluca: Ngritja e Komisionit Shtetëror për eshtrat u dorëzua nga Dobjani

Një komisioner i Avokatit të Popullit thotë se kishte dërguar muaj më parë një rekomandim për ngritjen e një komisioni që do të hetonte dhe zbulonte varret e të ekzekutuarve nga komunizmi, por ky rekomandim është mbajtur në sirtarët e institucionit nga drejtuesi i tij Emir Dobjani. Komisioneri pranë Avokatit të Popullit, Skënder Haluca, tha dje për gazetën se prej dy vitesh ai ka ndjekur këtë çështje, si kërkesë e shoqatave të ish-të përndjekurve politikë dhe para pak muajsh ka përgatitur një rekomandim për Kryeministrin Sali Berisha për ngritjen e një komisioni shtetëror për gjetjen e eshtrave të të humburve. Haluca shprehet se rekomandimi i tij, i bërë pas një pune 2-vjeçare, nuk u mor parasysh nga Avokati i Popullit, Emir Dobjani, i cili është i vetmi që ka të drejtën ligjore për t’i dërguar rekomandime Kryeministrit. Dobjani nuk ka dhënë shpjegime se pse nuk ka dorëzuar këtë rekomandim pranë Kryeministrit Berisha.
Rekomandimi
Në këtë akt rekomandimi të përgatitur nga Haluca, shprehet se gjetja e eshtrave përbën një shqetësim dhe se vetëm një komision i posaçëm shtetëror mund të bënte të mundur gjetjen e tyre. Na akt-rekomandim, Haluca shkuan se ish-të përndjekurit politikë kanë humbur besimin e institucioneve përkatëse, si gjykatat në rrethe e prokuroria, Gjykata Kushtetuese, madje edhe të Avokatit të Popullit, për shkak se drejtuesit e tyre kanë qenë të përfshirë në torturimin, dënimin, madje edhe në ekzekutimin e tyre. Në akt -komandim komisioneri Haluca shprehet se ka ndjekur çështjen e gjetjes së eshtrave të Tom Kolë Ndojës dhe Sokol Zef Sokolit, të cilët u pushkatuan në vitin 1984 për revoltën në burgun e Qafë-Barit në Pukë. Ai shprehet se një prej ekzekutuesve ka thënë se trupat e tyre ndodhen në zonën e antenave të radio “Shkodrës” dhe madje dyshohet se atje ka varre të tjera.
Shifrat
Haluca thotë se numri i të zhdukurve ende pa një varr është më shumë se 1 mijë. Ndërkohë, besohet se numri mund të jetë edhe më i madh, pasi për shumë të ekzekutuar, vrasja është bërë pa gjyq apo thjesht është cilësuar vetëvrasje, ndërsa familjarët nuk e dinë ende ku i kanë varret e të afërmve. Sipas statistikave zyrtare, mësohet se gjatë regjimit komunist janë ekzekutuar për qëllime politike 5 577 burra dhe 450 gra. Mësohet njëkohësisht se janë dënuar 26 768 burra dhe 7 367 gra, ku në burgje kanë humbur jetën 1 065 persona. Ka pasur mbi 7 mijë internime dhe kanë humbur aftësinë mendore si rezultat i torturave 408 persona. Sipas një probabiliteti, çdo 3 ditë është pushkatuar një persona në diktaturë, çdo 2 ditë janë internuar 3 shqiptarë.

Kërkesa e bllokuar nga Avokati i Popullit dhe që i ishte drejtuar Kryeministrit për gjetjen e varreve të të ekzekutuarve politikë nga regjimi komunist.

Rekomandim për ngritjen e një komisioni shtetëror për gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të të pushkatuarve me gjyq e pa gjyq gjatë regjimit komunist në Shqipëri.

I nderuar Zoti Kryeministër,

Pranë institucionit të Avokatit të Popullit kanë paraqitur një ankesë-kërkesë Shoqatat e të Burgosurve Politikë të Shqipërisë, në të cilën pretendojnë se: institucionet shtetërore si, sektori i Arkivit në Ministrinë e Brendshme, Prokuroria e Përgjithshme si dhe institucione të tjera, nuk japin dokumentet, informacionet dhe të dhënat e nevojshme për të gjetur vend-varrosjen dhe kufomat e të pushkatuarve me gjyq e pa gjyq gjatë regjimit komunist, duke mos iu përgjigjur kërkesave të familjarëve dhe kërkesave që kanë bërë shoqatat e të burgosurve politikë të Shqipërisë. Një nga arsyet e mosdhënies së informacionit lidhur me këtë çështje nga institucionet që administrojnë dokumentacionin përkatës është edhe fakti i klasifikimit të këtyre dokumentacioneve si sekret sipas legjislacionit në fuqi.
Në këtë ankesë ata pretendojnë se në Prokurorinë e Përgjithshme, Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore, në gjykatat e të gjitha niveleve, në institucionet kushtetuese duke filluar nga Gjykata Kushtetuese dhe deri tek Avokati i Popullit si dhe në disa institucione të tjera publike aktualisht punojnë si gjyqtarë, prokurorë si dhe zyrtarë të lartë persona që kanë marrë pjesë aktive në arrestimin, hetimin, torturimin, gjykimin, dënimin dhe ekzekutimin e të dënuarve me vdekje gjatë regjimit komunist.
Avokati i Popullit me qëllim zgjidhjen e kësaj çështjeje mjaft delikate ngriti një grup pune për mbledhjen e dokumentacionit, identifikimin e personave që kanë marrë pjesë në ekzekutimin e tyre si dhe marrjen takim me ta me qëllimin e vetëm gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të të pushkatuarve gjatë regjimit komunist, duke i siguruar ata për ruajtjen e anonimatit.
Për këtë' qëllim, një nga komisionerët e Avokatit të Popullit ka vajtur në Shkodër dhe ka takuar një nga tre personat që janë gjallë dhe që ka marrë pjesë në ekzekutimin e të dënuarve Tom Kolë Ndoja dhe Sokol Zef Sokoli, të cilët janë ekzekutuar me pushkatim në Shkodër në orën 24:00 te dt. 09.06.1984. Ata ishin dënuar me vdekje me pushkatim si pjesëmarrës në revoltën e të burgosurve politikë të dt. 22.05.1984 në burgun e Qafe-Barit në rrethin e Pukës. Në takimin që komisioneri i Avokatit të Popullit ka patur me shtetasin M. R. (njëri nga të ngarkuarit për pushkatimin e këtyre dy të dënuarve), ka pohuar se ka marrë pjesë në pushkatimin e dy të dënuarve në orën dhe datën e caktuar në periferi të qytetit të Shkodrës, brenda territorit të antenave të radio “Shkodrës”, por ai u shpreh se nuk mbante mend vendin e saktë ku i kishin varrosur. Nga thëniet e këtij shtetasi, i cili ka punuar si punonjës i Policisë së Shtetit deri në vitin 2006, kemi mësuar se territori i antenave të radio “Shkodrës” në periferi të qytetit ka qenë për një kohë të gjatë vendi i caktuar për pushkatimin e të dënuarve me vdekje dhe gjithnjë sipas tij atje ndodhen shumë kufoma. Kemi patur edhe raste të tjera, si p.sh. të H. B. n.komisioner i Avokatit të Popullit, i cili sipas pretendimeve të vëllait të të pushkatuarit Xhevit Esat Bilali, por edhe sipas procesverbalit të mbajtur në orën 24:10 të dt. 09.09.1984, në vendin e caktuar Pylli i Sodës, që bën fjalë për ekzekutimin me pushkatim të shtetasit Xhevit Esat Bilali, rezulton se ka qenë i pranishëm edhe Prokurori i Seksionit IV H. B., por ai pretendon se nuk e mban mend vendin e sakt ku e kanë varrosur.
Në këto kushte, me mjetet dhe personelin që aktualisht ka në dispozicion institucioni i Avokati i Popullit e ka të pamundur zgjidhjen optimale të kësaj çështjeje sa delikate aq edhe njerëzore. Vendet dhe popujt e qytetëruar po gjejnë dhe identifikojnë eshtrat e të rënëve gjatë Luftës së Parë Botërore, prandaj mendojmë se edhe vendi ynë i ka të gjitha kapacitetet dhe mjetet për gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të të pushkatuarve me gjyq e pa gjyq gjatë regjimit komunist. Eksperienca të tilla nuk mungojnë. Një gjë e tillë prej vitesh po ndodh në Kosovë, ku po vazhdon gjetja dhe identifikimi i kufomave të të vrarëve dhe të të zhdukurve nga ushtria dhe policia serbe. Është rasti që t’i kujtojmë qeverisë së Republikës së Shqipërisë se përmbushja e detyrimeve që rrjedhin prej miratimit që Kuvendi i Shqipërisë i ka bërë në vitin 2006 një rezolute të KE-së për dënimin e krimeve të komunizmit. Kjo rezolutë parashikon një sërë procesesh, si dënimi i krimeve të komunizmit, dënimin e figurës së Enver Hoxhës, ngritjen e një instituti të posaçëm për rehabilitimin e viktimave, madje edhe një fond të veçantë për gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të të zhdukurve gjatë regjimit komunist, që në Shqipëri numërohen me mijëra. Ne mendojmë se është detyrim moral dhe ligjor për qeverinë që Ju kryesoni, që të respektojë dhe të realizojë në praktikë këtë të drejtë njerëzore të' familjarëve të këtyre viktimave të komunizmit, që u ekzekutuan barbarisht pa gjyq apo me gjyqe farse, natën nëpër errësirë, vetëm e vetëm për fjalën e lirë, besimin e tyre tek Zoti, prirjet properëndimore të tyre. Gjetja e eshtrave të të pushkatuarve gjatë regjimit komunist dhe dorëzimi i tyre familjarëve të vet, do t’u mundësojë të afërmve të viktimave që të kenë një varr ku t’i nderojnë dhe përkujtojnë të afërmit e tyre sipas riteve dhe zakoneve shqiptare. Jemi të bindur se ky proces do të lehtësojë dhimbjen shpirtërore të familjarëve të këtyre viktimave fatkeqe. Për sa më sipër, bazuar në nenin 63, pikën 3, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku thuhet se "Avokati i Popullit ka të drejtë të bëjë rekomandime dhe të propozojë masa kur vëren shkelje të të drejtave të njeriut nga administrata publike", dhe nenit 21, germa "c" të ligjit nr. 8454, date 04.02.1999 "Për Avokatin e Popullit", i ndryshuar, ku ndër të tjera thuhet se "Avokati i Popullit paraqet rekomandime për marrje masash për vënien në vend të së drejtës së shkelur tek organi epror i organit që ka shkaktuar shkeljen", ju rekomandojmë: l. Ngritjen e një komisioni shtetëror në përbërje të të cilit të ketë përfaqësues nga ish-të burgosurit politikë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Prokuroria e Përgjithshme, sektori i Arkivave si dhe ekspertë të Institutit të Mjekësisë Ligjore etj.
2. Të bëhet identifikimi i vendeve të caktuara për ekzekutime të tilla.
3. Të bëhet zhvarrosja e eshtrave të të pushkatuarve dhe meqenëse së afërmi bëhet e mundur edhe analiza e AND-së në Shqipëri, të bëhet identifikimi i tyre dhe pastaj t'u jepen familjarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›