Eksperti argjentinas: Të rehabilitohen trashëgimtarët e të ekzekutuarve
Regjimi komunist shqiptar ka qenë një prej më të ashpërve dhe shtypës, duke ia kaluar edhe fashizmit në vendet e Amerikës Latine. Sipas ekspertit dhe kërkuesit në Qendrën për Rehabilitimin e Traumës dhe Torturës, Luka Guanziroli, në regjimin shqiptar ka pasur një formë të ashpër shtypëse që prekte edhe familjarët e viktimës, ndërkohë që pasojat e tij vihen re tek brezi i dytë, të afërmit e viktimave, të cilët ende vuajnë të kaluarën, ku duhet punuar për rikthimin e tyre në identitet. “Nga puna e bërë kam vënë re se mënyra më e keqe e të shfaqurit të komunizmit ka qenë këtu. Shumë, shumë i ashpër, e mbi të gjitha shumë, shumë i gjatë. Në Argjentinë p.sh., regjimi fashist ka zgjatur vetëm katër vjet, ndërsa këtu rreth mbi 45 vjet”, - u shpreh ai për gazetën.
Sipas Guanzirolit, në vendet e Amerikës Latine mund të bëje një jetë normale, pa e ndier se ndodheshe nën një diktaturë, nëse nuk ishe kundërshtar me regjimin, në kundërshtim nga Shqipëria. “Po të bësh një krahasim me vendet e Amerikës Latine, do të thosha që situata është e kundërt, por paralele. Kjo, pasi kemi të bëjmë me dy vende, të cilat kanë pasur sisteme të ndryshme. Kështu, në Amerikën Latine kemi fashizmin, kurse këtu sistemi totalitar është komunizmi”, - thotë ai. Eksperti argjentinas në Qendrën për Traumën dhe Torturën në Tiranë bën një krahasim të mekanizmit të shtypjes, që ka vepruar në Shqipëri dhe Amerikën Jugore. “Edhe mekanizmi i shtypjes ndryshon. Mënyra se si aplikonte Partia Komuniste këtu është që pasi burgoste viktimën, merrte familjen e tij, të afërmit e tij dhe i zhvendoste nga një vend në vendin tjetër, ose i vendoste në burg, ose në punë të detyruar”, - tha Guanziroli duke shtuar: “Ndërsa në Amerikën Latine nuk ka ndodhur e njëjta gjë. Regjimi, kundërshtarët e tyre shkonte e i merrte në shtëpitë e tyre dhe më pas i eliminonte. Ka pasur raste që ata u merrnin fëmijët e tyre dhe i çonin në shtëpitë e fëmijëve të ushtarakëve”. Por ai shpjegon se zakonisht ka qenë vetëm një person i dyshuar që merrej dhe eliminohej. “Por edhe në Argjentinë regjimi ka qenë i egër. Kjo, pasi në Argjentinë ka pasur rreth 30 mijë të zhdukur në vetëm shtatë vjet. Në Shqipëri, aparati shtypës ka vepruar në mënyrë shumë të ashpër. Kështu, familje të tëra janë marrë e janë shpërngulur. Pra, janë përfshirë më shumë njerëz. Ndërsa në Amerikën Latine ka qenë ndryshe. Ata kanë vrarë menjëherë kundërshtarët e tyre”, - shpjegon ai. Për Guanziolin, pasojat e regjimit janë ende të pranishme në shoqërinë shqiptare dhe duhet punuar për eliminimin e tyre. “Një gjë me shumë rëndësi është puna që duhet bërë me brezin e dytë, me viktimat e regjimit. Duhet të punohet me familjarët e personave, të cilët janë ekzekutuar nga regjimi”, - përfundoi ai. Sipas ekspertit argjentinas, i cili prej disa muajsh po kryen kërkime në Shqipëri, vëmendje të madhe i duhet kushtuar brezit të dytë, i cili vuan pasojat e një traume dhe ku duhet krijuar sërish identiteti i tyre.