E Diel, 1 Nëntor 2026

Ymaj: Vetëm një hetim i organizuar do të zbulonte viktimat

Ymaj: Vetëm një hetim i organizuar do të zbulonte viktimat

Familjarët e të ekzekutuarve nga komunizmi gjejnë eshtrat e 19 personave të pushkatuar, hetimi pritet të zbardhë se kujt i përkasin

Skeletet e 19 personave që dyshohet të jenë ekzekutuar nga diktatura komuniste, i janë dorëzuar morgut të Tiranës, por drejtues të këtij institucioni thanë se nuk mund të nisnin procedurat e identifikimit të këtyre personave pa nisur më parë një hetim zyrtar. Doktor profesor Besim Ymaj, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, thotë se puna për identifikimin e viktimave do të nisë menjëherë sapo të ketë një kërkesë zyrtare për identifikimin e tyre, por sipas tij çështja është më e vështirë sesa paraqitet dhe kërkon impenjimin e disa institucioneve, përfshi Ministrinë e Brendshme dhe Prokurorinë e Përgjithshme.
Zbulimi
Skeletet e 19 personave që dyshohet se janë ekzekutuar nga diktatura komuniste, janë gjetur në rrëzë të Malit të Dajtit. Burime nga policia thanë se “eshtrat janë gjetur nga familjarë, në një luginë në fshatin Qerret, komuna Dajt, në afërsi të vendstrehimit për kohë lufte të ish-Komitetit Ekzekutiv Tiranë”. Burime të policisë thanë gjithashtu se në këqyrjen e vendit të gjetjes së këtyre eshtrave, përveç eshtrave të gjetura nga familjarët, dje u gjet edhe një kafkë njeriu, e cila u dërgua gjithashtu në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Ndërkohë për të sqaruar rrethanat e hetimit janë pyetur pjesëtarë të familjeve të viktimave të ish-regjimit komunist, që kanë bërë kërkime për gjetjen e të afërmve të tyre të pushkatuar. Paraprakisht policia ka konkluduar se personat e ekzekutuar janë vrarë në periudha të ndryshme.
Ekspertiza
Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore tha për “standard” se që të kishte rezultate në identifikimin e personave të gjetur dje, do të duhej një bashkëpunim i disa institucioneve. Sipas Ymajt, Instituti i Mjekësisë Ligjore ka nevojë minimalisht për listën e emrave të personave të ekzekutuar, por edhe për të dhëna të tjera që gjenden në dosjet ende sekrete të secilit person të vrarë. “Do duhet që të nxirren të dhëna për të ekzekutuarit, të jepet një listë me të dhënat personale të secilës viktimë që mendohet se është varrosur në atë vend dhe ne pas kësaj të bëjmë ballafaqimin me atë që është gjetur në varr dhe klasifikimin sipas moshës, gjatësisë apo gjinisë dhe më pas analizat e nevojshme për identifikimin e këtyre personave”, - tha Ymaj. Ai tha se ky proces do të kërkonte edhe analiza ADN-je për ta bërë identifikimin 100 për qind të sigurt. Sipas tij, deri më tani kërkimet organizohen vetëm nga familjarë të të afërmve dhe zbulimi i ditëve të fundit ka qenë krejtësisht spontan dhe i pakontrolluar. Ai shpjegon se mënyra më e mirë për të gjetur se kujt i përkasin eshtrat e gjetura në varret masive të komunizmit është që të dihet përafërsisht se cilët janë personat e ekzekutuar në këto varre. Kjo, sipas tij, kërkon hapjen e dosjeve të ekzekutimeve. V. Karaj

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›