Presidenti Topi mbledh të shtunën tryezën e dialogut
Pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve për të ulur përballë liderin e mazhorancës, Sali Berisha dhe kryesocialistin Edi Rama, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, do ta mundësojë takimin paraditen e së shtunës, ditë kur do të thërrasë dhe tryezën pozitë-opozitë. Tryeza e bisedimeve, që pritet të zhbllokojë ngërçin politik, do të zhvillohet në orën 11:00 të datës 13 shkurt në Selinë e Presidentit. Ky vendim erdhi pak çaste pas takimit që zhvilloi në zyrën presidenciale me kreun e Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, ambasadorin Helmut Lohan, me ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobio de Balanse, me ambasadorin e SHBA-së në vendin tonë, John Withers II, si dhe pas kontakteve me Kryeministrin dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Sipas njoftimit zyrtar, këto takime, në të cilat u inkurajua roli kyç i Presidentit si moderator, u organizuan në kuadrin e vazhdimit të konsultimeve të kreut të shtetit me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar nën frymën e rekomandimeve të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe qëndrimeve të Bashkimit Evropian mbi situatën aktuale politike në Shqipëri. Mësohet se gjatë takimeve u diskutua mbi rëndësinë dhe nevojën e mbajtjes së tryezës së dialogut mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të opozitës, Edi Rama, nën moderimin e Presidentit Topi, në përpjekje për t’i kontribuar normalizimit të klimës politike dhe rivendosjes së dialogut parlamentar. Në këtë mënyrë, kreu i shtetit paraditen e djeshme ia kushtoi pikërisht konsultimeve me faktorin e rëndësishëm ndërkombëtar në takime të veçanta në funksion të zgjidhjes së ngërçit politik në vend, për pasojë të refuzimit të opozitës për të zënë vendet e saj në Kuvend. Rreth orës 12:40 minuta në Presidencë mbërriti për takime me kryetarin e shtetit shqiptar, ambasadori i Spanjës, vend që kryeson presidencën e BE-së, Emanuel Montobio dhe përfaqësuesi i KE-së, Helmut Lohan. Kurse takimi me ambasadorin amerikan, John Withers u mbajt në godinën presidenciale rreth një orë më pas, në orën 13:30 minuta. Takimet u zhvilluan me dyer të mbyllura pa praninë e gazetarëve. Pak minuta para orës 14:00 kreu i shtetit shqiptar përcolli ambasadorët e huaj, të cilët nuk dhanë asnjë deklaratë zyrtare rreth takimit me Topin. Përpjekjet e tij për tryezën mes qeverisë dhe opozitës filluan me bisedimet me diplomatët më të rëndësishëm ndërkombëtar në Tiranë. Në mesditë mbërritën në Presidencë ambasadori spanjoll, Montobio, vendi i të cilit kryeson Presidencën e radhës të BE-së dhe ambasadori i Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan. Më pas kreu i shtetit pati një takim të veçantë me ambasadorin amerikan, John Withers. Këto takime fokusohen në konsultimet për përcaktimin e termave të bisedimeve të pritshme “Rama–Berisha” në sfondin e një situatë që vazhdon të jetë e tensionuar nga deklaratat e PS-së dhe PD-së. Kryesocialisti Rama këmbëngul në hapjen e kutive, ndërsa ka paralajmëruar protesta në rast të dështimit të bisedimeve. Nga ana e saj, mazhoranca vazhdon të qëndrojë e vendosur deri tani për moshapjen e kutive të 28 qershorit, e mbështetur kjo edhe nga rezoluta e Asamblesë Parlamentare të KE-së.