Aksidentet në rrugë, brenda një muaji 9 persona në gjyq

Të paktën 9 persona janë çuar për procedim në Gjykatën e Tiranës muajin e fundit për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor, disa nga të cilët për aksidente të rënda të ndodhura në këtë Qark. Burime nga prokuroria e Tiranës bënë të ditur sot se hetimet për këto çështje janë realizuar në bashkëpunim me strukturat e policisë rrugore të Tiranës. Të pandehurit, disa nga të cilët me moshë të re, 20-30 vjeç, akuzohen për "shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor". Por, ka edhe nga ata që janë marrë nën përgjegjësi penale si shkaktarë të aksidenteve rrugore, me pasojë vdekjen, të ndodhura kohët e fundit në Tiranë. Të pandehurit, shumë nga të cilët të arrestuar në kushtet e flagrancës, tashmë do të përballen me Gjykatën e rrethit për akuzat që prokuroria ka ngritur ndaj tyre. Sipas Kodit Penal që flet për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor, "kur nga vepra penale është shkaktuar vdekja ose plagosja e rëndë e disa personave, i pandehuri dënohet me burgim jo me pak se pesë vjet". Nga ana tjetër, mësohet se policia e Tiranës prej disa ditësh ka nisur zbatimin e një plani operacional për disiplinimin e qarkullimit rrugor. Në këtë kuadër, forcat e policisë rrugore kanë ndërmarë kontrolle të shumta, duke penalizuar me gjoba ata drejtues mjetesh që nuk zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Po ashtu, Policia e Tiranës ka ndërmarë edhe një fushatë sensibilizuese me qëllim rritjen e sigurisë rrugore, si dhe uljen e numrit të aksidenteve, të cilat gjatë sezonit veror që lamë pas shënuan një numër të konsiderueshëm.
...