Përfundon masterplani i transportit për Tiranën
Bashkia e Tiranës ka përfunduar masterplanin për trafikun dhë lëvizshmërinë e automjeteve në kryeqytet. Burime nga Drejtoria e Transportit pranë Bashkisë së Tiranës bënë të ditur se "më shumë prioritet në këtë masterplan i është dhënë transportit publik dhe me biçikleta, që do të jetësohet edhe me miratimin e Planit Rregullues të qytetit, i cili ka parasysh situatën aktuale si dhe zonimin që do të bëhet në bazë të tij.". Sipas të njëjtave burime, filozofia e lëvizjes me transport publik dhe biçikleta u përçua në këtë dokument, me klasifikimin e rrjetit rrugor dhe shpërndarjen e rrugëve për çdo përdorues, duke filluar me korsitë e rezervuara të transportit publik, korsitë e biçikletave, lëvizjen këmbësore të sigurtë dhe në fund trafikun e mjeteve private. Në dokument parashikohet rrjeti rrugor i nevojshëm, hierarkia dhe shpërndarja për çdo përdorues, ku duhet të jenë korsitë e rezervuara të autobusit, korsitë e biçikletave, qarkullimi i mjeteve private, terminalet e rrjetit hekurudhor dhe autobuzave dhe integrimi i tyre, vendndodhjet e sistemeve “park&ride”, zonat këmbësore, referencat për qendrën e kontrollit të trafikut urban si dhe parkimet në qytet. Puna për përgatitjen e këtij masterplani u bë në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë, duke u mbështetur në një bazë të dhënash që u përftuan nga matje të trafikut, realizimin e pyetësorëve në të tërë zonat e qytetit dhe metodologjinë bashkëkohore në këtë fushë. Ky dokument është një garanci optimale që trafiku në qytetin e Tiranës të përmirësohet ndjeshëm në të ardhmen.
...