Aksidentet, një i vdekur dhe 10 të plagosur
Dy përplasjet janë shënuar në Lushnjë dhe në Elbasan. Ndërsa 5 prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë
Një 59-vjeçar i quajtur Osman Meçe ka gjetur vdekjen, ndërsa tre persona të tjerë janë plagosur, në vendin e quajtur "rreth rrotullimi i Plugut," në aksin kombëtar Tiranë- Lushnjë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 04.45 të mëngjesit të ditës së mërkurë. Mjeti tip Benz me targa TR 9453 L ka dalë nga shtrati i rrugës duke përfunduar disa metra jashtë saj. Si pasojë, ka gjetur vdekjen e menjëhershme 59-vjeçari Osman Meçe, i cili udhëtonte në këtë mjet si pasagjer, si dhe janë plagosur rëndë drejtuesi i mjetit Arben Spaho, 37 vjeç, banues në Kamëz të rrethit Tiranë. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka shoqëruar për në spital shtetasit e plagosur. Bluzat e bardha janë shprehur se gjendja shëndetësore e dy pasagjerëve të paraqitur është jashtë rrezikut për jetën. Ata kanë marrë mjekimin dhe janë larguar nga spitali. Ndërkohë që drejtuesi i mjetit është në gjendje të rëndë shëndetësore, thuhet në një njoftim për shtyp. Policia është shprehur se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara si dhe përdorimi i pijes alkoolike. Drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin e mjetit duke dalë nga rruga.
Policia e ka arrestuar atë me akuzën për” Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor si dhe drejtim të mjetit në gjendje të dehur. Ky është aksidenti i radhës brenda harkut kohor të tri ditëve në të njëjtin vend. Del nga rruga dhe bie disa metra në anë të saj automjeti tip Fuoristradë, plagosen 7 persona, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 18.00 në fshatin Joronisht të komunës Zavalinë, 30 km larg Elbasanit. Automjeti me targë EL 3405 B i drejtuar nga Ëngjëllush Peci, 25 vjeç, del nga rruga dhe përfundon disa metra në anë të saj, në një nga kthesat e shumta të terrenit malor të kësaj rruge. Për pasojë, mbeten të aksidentuar Qamile Peci, 50 vjeçe; Kudret Komini, 40 vjeç; Dallëndyshe Komini ,45 vjeçe; Profeto Komini, 42 vjeç; Marinela Komini, 30 vjeçe; dhe E. Komini, 15 vjeçe; të gjithë në lidhje farefisnore mes tyre. Kalimtarë të rastësishëm u kanë dhënë ndihmën e parë të plagosurve, duke i nxjerrë nga vendi i aksidentit e që më pas kanë njoftuar policinë. Në vendin e ngjarjes është nisur policia, ekspertët dhe një grup hetimor si dhe autoambulanca nga qendra spitalore. Të lënduarit janë dërguar në spitalin kirurgjik të Elbasanit dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Sipas bluzave të bardha të këtij spitali, disa nga të aksidentuarit ndodhen në gjendje serioze për jetën. Ende nuk janë të qarta shkaqet e aksidentit, por sipas të dhënave të para drejtuesi ka humbur kontrollin në një nga kthesat e rrugës, e cila përshkon një terren malor e që lidh Gjinarin me Zavalinën.