Kanosja e Bombajt, ish-nxënësja 15-vjeçare nën akuzë
Vajza e mitur është paraqitur dje në Prokurori, ku i është komunikuar akuza e kanosjes në bashkëpunim me Stresin dhe grupin e tij. Dosja hetimore, drejt gjykatës.
Tiranë Vajza 15-vjeçare, e vënë në qendër të skandalit, që përfundoi me kanosje të regjisorit Leonard Bombaj, është thirrur dje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për t’u njohur me përfundimin e hetimeve për këtë çështje. 15-vjeçarja A.Xh, që fillimisht akuzoi Bombajn për marrëdhënie seksuale kundër dëshirës së saj, sipas hetimit, rezulton e përfshirë në gjobëvënien kundër ish-profesorit të saj. Burime të rezervuara pranë prokurorisë pohuan se vajza e mitur është njohur dje me akuzën e ngritur ndaj saj. Ajo është paraqitur në prokurori e shoqëruar nga familjarë të saj dhe në zyrën e prokurorit, ka qenë e pranishme një psikologe dhe avokati mbrojtës, kur ajo u njoh me akuzën e gjobëvënies së kryer në bashkëpunim. Sipas hetimit, rezulton e provuar se A. Xh, në bashkëpunim me disa miq të saj, përfshirë edhe këngëtarin Arkimed Lushaj, i njohur si “Stresi”, kanë kanosur regjisorin Bombaj për dhënie pasurie. Për ngritjen e akuzës, prokuroria ka mundur të provojë një rast, kur të dyshuarit, përshirë edhe vajzën e mitur, i kanë marrë nëpërmjet kanosjes dhe dhunës, shumën e 500 mijë lekëve, regjisorit Bombaj. Ky episod është cilësuar i mjaftueshëm nga hetuesit për ngritjen e akuzës së gjobëvënies edhe nga vajzës së mitur. Sipas hetimit dhe dëshmisë së regjisorit rezulton se në këtë datë, të paktën katër persona të shoqëruar nga vajza që e akuzonte atë për përdhunim kanë shkuar në banesën e tij. Po këtë ditë, tre prej të dyshuarve, së bashku me vajzën kanë shoqëruar regjisorin drejt një banke në rrugën e Elbasanit, ku kanë tërhequr shumën prej 500 mijë lekësh nën presionin e të rinjve. Ky fakt denoncohet në deklarimet e Bombajt, i cili thotë se në bankë ata kanë shkuar me automjetin e tij, të cilin të dyshuarit e mbajtën peng për dy ditë me radhë deri në ndërhyrjen e babait të njërit prej tyre. Edhe pse ky është pretendimi i Bombajt, hetimet kanë mundur të tregojnë se ky episod ka qenë real, dhe përveç bankës që konfirmon transaksionin prej 500 mijë lekësh, ka edhe elemente të tjera që përputhen me dëshminë e regjisorit. Gjatë hetimit të çështjes, prokuroria ka sekuestruar filmimet e kryera nga kamerat e bankës ku janë tërhequr paratë, ku duket fare qartë automjeti tip “Benz”, në pronësi të Bombajt, me targë TR 9485 L dhe të rinjtë që e shoqëronin atë. L.Bakillari