E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri për një vajzë, ish-boksieri vret kushëririn dhe plagos dy të rinj

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 08-09-2011 12:27

Tiranë Një 26-vjeçar ka vdekur dhe dy miq të tij janë plagosur gjatë një sulmi me armë, i shkaktuar nga konflikti për një vajzë. Krimi ndodhi në orët e vona të mbrëmjes në rrugën “Irfan Tomini” në Tiranë, ndërsa policia ka shpallur në kërkim autorin e identifikuar si Artan Shaku. Dëshmitarë në venngjarje i thanë “MAPO”-s se Shaku ka qëlluar disa herë me

kallashnikov në drejtim të Arian e Saimir Mejdanit si dhe Artan Muharremit, duke u shkaktuar këtyre të fundit plagë të rënda në trup. Të plagosurit janë nisur me shpejtësi në drejtim të Spitalit Ushtarak, ku 26- vjeçari Arian Mejdani nuk ka mundur t’u shpëtojë plagëve të marra. E rëndë paraqitet gjendja e dy të plagosurve të tjerë. Forca të shumta policie mbërritën në vendngjarje, të cilët nisën punën hetimore me rrethimin e zonës së krimit. Skena e vrasjes së 26-vjeçarit dhe plagosjes së dy të tjerëve shtrihej në një 100 metra katrorë, pasi siç thanë dëshmitarët, autori i ka ndjekur me vrap viktimat, duke i qëlluar nga pas me armë. Pas kësaj, grupi hetimor arriti të sekuestronte një automatik kallashnikov, një karikator të hedhur përtokë, disa gëzhoja dhe fishekë të mbetur në vendin e ngjarjes. Nisur nga këto fakte, por edhe nga dëshmitë e personave që ishin të pranishëm, rezulton se autorit të krimit i është bllokuar arma dhe ka tentuar të ndërrojë karikatorin, të cilin e kishte hedhur në tokë. Më pas është larguar me shpejtësi, duke humbur gjurmët në rrugicat e errëta të lagjes. Nga të dhënat e para hetimore mësohet se të katër personat e përfshirë në këtë ngjarje ishin kushërinj me njëri-tjetrin. Dëshmitarë në vendngjarje pohojnë se konflikti mes tyre kishte nisur prej një jave, por duke mos dhënë detaje në lidhje me motivet e konfliktit. Gjatë mbrëmjes së djeshme, Ariani, Saimiri dhe Artani ishin ulur në lokalin që ndodhet në rrugën “Irfan Tomini”, kur papritur është afruar Artan Shaku me një armë në dorë dhe ka nisur të qëllojë në drejtim të tyre. Sipas dëshmitarëve, ata kanë vrapuar dhe janë ndjekur me armë nga autori, i cili vazhdonte t’i qëllonte pa pushim. “Në një moment, Shakut iu bllokua arma dhe në ecje e sipër i ka hequr karikatorin, të cilin e hodhi në tokë. Më pas u largua me shpejtësi nga vendngjarja”,- thotë një banor i zonës për “MAPO”-n.

Sipas hetimeve të para mësohet se shkak i konfliktit ka qenë një vajzë, por grupi hetimor nuk jep detaje të tjera në lidhje me arsyet e ngjarjes. Prej një jave, katër kushërinjtë vijonin debatet mes tyre, derisa mbrëmjen e djeshme, Artan Shaku, ish-boksier, ka marrë armën dhe ka qëlluar mbi tre kushërinjtë. Mësohet se Arian e Saimir Mejdani kishin në pronësi lokalin ku nisi ngjarja dhe përpara lokalit kishin të parkuar një triçikël, me të cilin punonin gjithashtu. Banorët e zonës të pyetur nga “MAPO” shprehen se, të katër personat e përfshirë në këtë ngjarje, nuk ishin persona problematikë dhe se nuk kishin pasur konflikte të mëparshme. Nga ana e saj, Policia e Tiranës ka grumbulluar të gjitha provat e gjetura në vendngjarje dhe ka administruar dëshmitë e personave që kanë qenë prezent. Kontrolle të shumta janë ushtruar në shtëpinë e autorit dhe të afërmve të tij, por deri në orët e para të mëngjesit, nuk ishte bërë i mundur arrestimi i Artan Shakut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›