E Diel, 1 Nëntor 2026

“Jam penduar që qëllova mbi gruan pas 50 vitesh martesë”

Mbetet në burg 76-vjeçari Bajram Muça, ndërsa pohon se gruaja e tij lëvizte me makina që ai nuk i njihet dhe se ajo duhej t’i merrte leje kur ikte nga shtëpia

DIBËR Bajram Muça, 76 vjeç, banor i qytetit të Bulqizës, do të qëndrojë në burg pa afat, pasi ai akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij Vera Muça. Gjykata e Rrethit Gjyqësor dha masën “burg pa afat” për të moshuarin, duke e akuzuar atë se ka vrarë me thikë gruan e tij tri ditë më parë, në lagjen “Minatori” të Bulqizës. Vetëm pak minuta pas krimit të kryer, Muça e pranoi autorësinë e krimit, madje policia njoftoi se parandaloi vetëvrasjen e 76-vjeçarit. Komshinjtë thanë se krimi mund të jetë kryer në kushtet e depresionit.

Dëshmia

Ditën e djeshme gjykata e rrethit ka dhënë masën e sigurisë “burg pa afat” për të moshuarin, i cili pati mundësinë që të fliste përpara togave të zeza duke u shfajësuar për krimin e tij. Pasi kreu vrasjen, autori i krimit dorëzoi thikën me të cilën masakroi gruan pas 50 vjet martesë dhe tha se ishte penduar për atë që kishte bërë, por shtoi se gruaja nuk i bindej atij, sidomos javët e fundit. Bajram Muça nuk ka kërkuar leje të ishte i pranishëm në ceremoninë mortore të bashkëshortes. Burime të besueshme informacioni bënë me dije se ai me siguri ka patur frikë se njerëzit e afërm të saj mund të hakmerreshin, madje ka kuptuar se nuk do të lejohej të merrte pjesë në ceremoninë mortore që organizoi vajza e Vera Muçës në qytetin e Bulqizës. Ashtu si ditën e ngjarjes edhe dje Muça ka përsëritur të njëjtat gjëra. Ai ka thënë para gjyqtarit se javët e fundit gruaja kishte filluar të mos i bindej. Ai këtë nuk e lidhte me xhelozinë, por shprehej se gruaja ikte nga shtëpia dhe kthehej kur të donte. “E kam parë gruan të lëvizte me makina të ndryshme, ndërkohë që unë nuk isha vënë në dijeni ku donte të shkonte. Në anët tona gruaja duhet ta pyesë burrin. Filluam të zihemi keq, derisa komshinjtë e kuptuan këtë gjë. Nuk u përmbajta dhe e godita gruan disa herë me thikë. Them se nuk kam qenë në rregull nga truri. Tani e kuptoj qartë se ç’krim kam bërë. Jam penduar rëndë, po kush e beson një gjë të tillë. Gruaja nuk vjen më. Tani meritoj çdo dënim” është shprehur Bajram Muça dje në Gjykatën e Dibrës. Çifti kishte dy fëmijë, një djalë që jetonte jashtë vendit dhe një vajzë, e cila ishte divorcuar nga bashkëshorti muaj më parë, dhe që jetonte me prindërit, por në momentin e ngjarjes nuk është ndodhur në shtëpi. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të krimit, ndërkohë që policia është mjaftuar me versionin se krimi ka ndodhur për motive të dobëta.

P.Hasa

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›