E Shtunë, 31 Tetor 2026

ADN-ja, ekspertët përjashtojnë Tufën nga vrasja e Mirit të Xhikes

SHKRUAN: Leonard Bakillari 08-09-2011 12:23

Tiranë: Ekspertiza e ADN-së lehtëson nga akuza e vrasjes së trefishtë Lavdërim Tufën, i akuzuar si një nga ekzekutorët e Fatmir Ramës. Gjatë seancës së djeshme gjyqësore, ku Tufa ishte i pranishëm, katër ekspertë gjenetistë dhanë para gjykatës modelet e krahasimit mbi përputhshmërinë e ADN-së në Europë dhe në çështjet e hetuara nga FBI për të akuzuar një dyshuar, mbi bazën e provës së ADN-së. Katër ekspertët gjenetistë të kryesuar nga Grigor Zoraqi, drejtues i qendrës së kërkimeve gjenetike, ritreguan edhe njëherë para gjykatës konkluzionet e tyre për rastin Tufa, duke paraqitur konkluzionin e krahasimit të ADN-së së të pandehurit me rezultatet e analizave të kryera në vitin 2003. Referuar rezultateve të këtyre analizave, ku përputhshmëria e ADN-së së Tufës me një fije floku të gjendur në vendin e ngjarjes, sipas ekspertëve italianë është në masën 90 përqind. Pikërisht kjo përputhshmëri është vlerësuar nga ekspertët gjenetistë, në seancën e djeshme gjyqësore, të cilët kanë dhënë edhe referenca të sakta për raste të ngjashme. Profesori i lëndës së gjenetikës, Vahe Mokini i tha gjykatës se në Europë, përputhshmëria e ADN-së për të akuzuar një person është në masën 99.97 përqind, ndërsa FBI e ka kufirin e përputhshmërisë së ADN-së në masën 99.99 përqind. Në bazë të këtyre të dhënave dhe rezultateve të analizave të kryera për rastin në fjalë, ekspertët thanë se Lavdërim Tufa përjashtohet, pasi profili i tij gjenetik nuk është i plotë. Ky ka qenë mendimi i të gjithë ekspertëve të caktuar nga gjykata për këtë çështje, të cilët u janë referuar modeleve krahasuese në Europë dhe Shtete e Bashkuara të Amerikës si dhe rastit konkret, ku përputhshmëria e ADN-së, mes fijes së flokut të gjetur në vendin e ngjarjes dhe Lavdërim Tufës, është në masën 90 përqind. Përveç interpretimit të të dhënave nga ekspertët gjenetistë, i pandehuri Tufa është lehtësuar edhe nga një tjetër rrethanë, që nëse do të provohej, mund të ishte fatale për të. Në vendimin e Gjykatës së Lartë për kthimin e çështjes për rigjykim, caktohen një sërë detyrash për gjykatësit që do të shqyrtojnë këtë çështje. Mes tyre, shkalla më e lartë e gjyqësorit kërkon kryerjen e analizave mbi profilet e ADN-së për tre nga familjarët e Lavdërim Tufës, për të parë nëse do të kishte ose jo përputhshmëri mes provave të gjendura në vendin e ngjarjes dhe ADN-së së tyre. Ky profil ADN-je është kryer nga ekspertët e caktuar nga gjykata, të cilët ditën e djeshme thanë se nuk ka asnjë përputhshmëri mes profileve të tyre gjenetike dhe profilit gjenetik të individit që i përket gjaku dhe pështyma e gjetur në maskën që njëri prej autorëve kishte përdorur gjatë ngjarjes.

90%

Është përputhshmëria e ADN-së së Lavdërim Tufës me atë të provës së gjetur në vendin e vrasjes së Mirit të Xhikes. Analiza e të afërmve të Tufës ka nxjerrë zero përputhshmëri

99.97 %

Është përputhshmëria e ADN-së, që akuzon kategorikisht dikë në Europë për një krim të kryer. Sa i përket FBI-së, kjo përputhshmëri kap shifrën e 99.99 %

Gjykata e Lartë rrëzoi burgimin përjetë

Lavdërim Tufa u shpall fajtor nga Gjykata për Krime të Rënda dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Dosja në ngarkim të tij u kthye për rigjykim nga Gjykata e Lartë, e cila pasi shqyrtoi pretendimet e mbrojtjes arriti në konkluzionin se Krimet e Rënda nuk kanë qenë kompetente për gjykimin e kësaj çështjeje. Prej muajit dhjetor të vitit 2009, dosja ndaj Tufës po shqyrtohet në Gjykatën e Tiranës, e cila ka urdhëruar edhe ekspertimin e ADN-së së të pandehurit në Itali, për të provuar shkencërisht nëse Lavdërim Tufa ka qenë ose jo pjesëmarrës në masakrën e Kartodromit, ku mbetën të vrarë Fatmir Rama, Julian Durishti dhe Kristaq Cami.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›