Aksidentet, një i vdekur dhe pesë të plagosur
Një i vdekur dhe pesë të plagosur ka qenë bilanci i dy aksidenteve të ndodhura pasditen e djeshme në Vlorë dhe Fier. Ngjarja më e rëndë rrugore është shënuar rreth orës 16:00 të ditës së djeshme, në aksin rrugor Peshkëpi-Qishbardhë, në Vlorë, kur një automjet xhip me targa VL1655B ka devijuar nga rruga dhe është përplasur me bordurat anësore. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se makina drejtohej nga Fatmir Mali, i cili ka marrë plagë të rënda, ndërsa pasagjeri Asqeri Leska, 60 vjeç, nga fshati Matogjin, ka gjetur vdekjen e menjëhershme nga përplasja e fortë. Ekspertët e policisë rrugore kanë shkuar pranë vendit të ngjarjes dhe nga hetimet e para mësohet se shkak i aksidentit është bërë një defekt në sistemin e drejtimit. I lënduari është transportuar me urgjencë për në spitalin rajonal të Vlorës, ku i është nënshtruar menjëherë kujdesit të bluzave të bardha. Ndërkohë, po dje, policia e Lushnjës ka vënë në pranga Bujar Gjylën, 40 vjeç, lindur dhe banues në qytetin e Lushnjës, si shkaktar i një aksidenti rrugor. Sipas burimeve zyrtare të policisë, mësohet se Gjyla paraditen e së dielës ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij “Mercedez Benz”, me targa LU2266C, në autostradën Fier-Lushnjë. Në vendin e quajtur “Pushimi i shoferit”, si shkak i shpejtësisë me të cilën udhëtonte, është përplasur me një automjet tjetër të tipit “BMW” me targa DR4292E, që drejtohej nga shtetasi Viktor Z. Edhe pse është përpjekur që ta shmangte përplasjen, 40-vjeçari Gjyla nuk ka mundur të manovrojë dhe për pasojë ka rënë në kanalin anësor të rrugës. Drejtuesit e rastësishëm të mjeteve dhe policia që ka mbërritur menjëherë pranë vendit të aksidentit i kanë dhënë ndihmën e parë Gjylës dhe dy pasagjereve që ndodheshin në makinën e tij, Lindita Gjyla 24 vjeçe, që është mbesa e tij, si dhe Anife T. 44 vjeçe, e afërme me të. Dy gratë kanë mbetur të plagosura, ndërkohë që dhe vetë Gjyla ka marrë plagë të rënda, si pasojë e përplasjes. Ndërkohë që i plagosur ka mbetur edhe drejtuesi i automjetit me targa të Durrësit. Burimet spitalore bëjnë të ditur se dy gratë janë dërguar në Spitalin Ushtarak të Tiranës, pasi gjendja e tyre shëndetësore ka qenë mjaft serioze. Ndërkaq, Bujar Gjyla është prangosur në dhomën burg të spitalit, ku ende ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
#