E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, shkollat publike nuk i përmbushin kushtet higjieno-sanitare

Arsimi publik Problemi pranohet nga Drejtoria Arsimore, premtohen investime për vitin e ardhshëm

Shkollat publike të Rrethit të Fierit nuk i përmbushin kushtet higjieno-sanitare. Situata paraqitet alarmante si në shkollat e qytetit ashtu dhe në ato të fshatit, në të dyja nivelet: 9-vjeçare dhe të mesme. Veç kësaj, edhe mjaft institucione të arsimit parashkollor, siç janë kopshtet dhe çerdhet lënë për të dëshiruar në plotësimin e kushteve higjeniko-sanitare. Situata pohohet nga Drejtoria e Shëndetit Publik në Fier, e cila prej kohësh ka dhënë alarmin se shumë institucione arsimore të Rrethit të Fierit nuk arrijnë të përmbushin kushtet minimale higjieno-sanitare. Në fillim të vitit arsimor 2009-2010, Inspektorati i Higjienës në Drejtorinë e Shëndetit Publik Fier, ka kryer kontroll në pothuaj të gjitha institucionet arsimore të rrethit. Nga ky kontroll është konstatuar se asnjë prej shkollave, çerdheve e kopshteve nuk i plotësonte të gjitha kushtet e nevojshme. Madje, për disa prej tyre ky inspektorat vendosi bllokimin tyre, deri në plotësimin e kushteve higjienike. Por edhe pse masat u morën vetëm për pak kohë, sërish janë vënë re probleme serioze për sa i përket kushteve higjieno-sanitare. Burimet zyrtare të Inspektoratit të Higjienës pohojnë për “Shqip” se edhe sot, kur viti arsimor është drejt përfundimit, sërish shihet mungesa e këtyre kushteve. Por, ajo që është më tronditëse lidhet se me kushte “ideale”, asnjë nga institucionet arsimore nuk paraqitet. Kryesisht janë vënë re probleme me ajrin nëpër klasa si dhe tualetet e shkollave dhe kopshteve.
Burimet nga Inspektorati i Higjienës thonë se me kushtet e tualeteve problemi qëndron te gati të gjitha institucionet dhe në shumë raste lidhet me infrastrukturën e godinave arsimore. Ndërkohë Drejtoria Arsimore e Fierit ka nxjerrë një listë me të gjitha institucionet arsimore problematike dhe premton investim në to për vitin e ardhshëm. Kjo ka bërë që Inspektorati i Higjienës të mos tregohet “i ashpër”, por të presë edhe disa muaj deri në kontrollin e radhës të pragfillimit të vitit arsimor 2010-2011.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›