E Shtunë, 31 Tetor 2026

Antimafia, sekuestro 14 pronave të dy bandave

Në Gjykatën për Krimet e Rënda dërgohen kërkesat për dy anëtarë të bandës së Lushnjës dhe bandës së Durrësit

Pas daljes së ligjit të ri “Antimafia”, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar në gjykatë kërkesat për vendosje sekuestroje për 14 prona që janë në llogari të dy prej pjesëtarëve të bandës së Lushnjës dhe bandës së Durrësit. Disa nga këto prona, që organi i akuzës pret të konfiskohen nga gjykata, i përkasin Klodian Saliut, i vrarë pesë vjet me parë pas përplasjeve mes bandave. Ndërsa pjesa tjetër janë për llogari të Afrim Hoxhës, nën gjykim mes të pandehurve të tjerë në pjesën e dytë të bandës. Por nga miratimi i ligjit të ri “Antimafia”, vihen re një sërë risish, mes të cilave edhe hetimi pasuror pas vdekjes në rast se i ndjeri ka qenë i implikuar në organizata kriminale. Ligji për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, i miratuar në dhjetor të vitit të kaluar dhe që shfuqizon ligjin e mëparshëm “Antimafia”, ka zgjeruar kategorinë e veprave penale dhe rrethin e subjekteve ndaj të cilëve zhvillohet hetim pasuror, madje edhe ndaj atyre veprave që nuk janë në kompetencën lëndore të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Të tilla janë shfrytëzimi i prostitucionit, pastrimi i parave apo prodhimi dhe mbajtja e narkotikëve. Ligji ka fuqi jo vetëm te të afërmit e personave të dyshuar, por edhe te trashëgimtarët, në rast se i dyshuari ka vdekur, por për një periudhë prej pesë vjetësh. Duke qenë se nga ligji i mëparshëm, në mjaft sekuestrime, sistemi i drejtësisë dështoi, me këtë ligj “Antimafia”, në ekzekutimin e masës së sekuestros shtohet edhe funksioni i përmbaruesit gjyqësor. Mes risive është edhe kalimi i barrës së provës për të vërtetuar pasuritë që janë fituar në mënyrë të ligjshme. Gjithashtu, neni 6 i jep të drejtë prokurorit të kryejë verifikime për burimet e të ardhurave të personit nën hetim. Ndërkohë, nga zyra e Prokurores së Përgjithshme ka dalë një urdhër nga i cili u kërkohet prokurorive të rretheve për të filluar hetim pasuror në rastet kur regjistrojnë veprat penale për të cilat të ardhurat e të dyshuarit janë objekt i ligjit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›