E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtoria Arsimore mbron edukatoret

Reagimi Pano: Projekti i njohur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës

Pas denoncimit të kryer nga prindi V.G. ka reaguar Drejtoria Rajonale Arsimore e Gjirokastrës. Burime nga kjo e fundit bëjnë të ditur se janë vënë në dijeni nga policia gjyqësore për denoncimin në fjalë dhe se sipas tyre, bëhet fjalë për një rast të ekzagjeruar prej prindit që ka denoncuar në polici dhe në media. Vetë drejtori i DRA-së, Arjan Pano, ka thënë për “Shqip”: “Bëhet fjalë për një projekt të përbashkët të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe organizatës së njohur ndërkombëtare “Save the Children” për trajtimin me programe të posaçme të fëmijëve me zhvillim të ngadaltë mendor dhe jo për fëmijë të sëmurë mendërisht”. Sipas drejtorit Pano, të dhënat dhe ecuria e këtij projekti, janë konfidenciale dhe publikimi i tyre përbën shkelje të sekretit. Ai ka shtuar se personat që kanë bërë publike listat e fëmijëve të trajtuar me këto programe të posaçme do të ndëshkohen prej DRA-së për “shkelje të disiplinës dhe detyrës”. “Nuk jam kundër që prindi mund të vihet në dijeni të aplikimit nga ana jonë e programeve edukative suplementare në interes të përshpejtimit të zhvillimit mendor të fëmijës së tij, por natyrisht përkujdesja që një fëmijë që ka disa veçori zhvillimi, si në rastin konkret që tregon shenja të qëndrimit të vetmuar dhe të tërhequr nga fëmijët e tjerë, është detyra jonë kryesore”, ka nënvizuar drejtori Pano.

Sidoqoftë hetimet për këtë skandal tashmë kanë nisur dhe pritet ecuria e mëtejshme e tyre, për të zbardhur dhe të nxjerrë në dritë përgjegjësit e kësaj ngjarjeje aspak të zakontë. Sikurse është konfirmuar zyrtarisht, prokurorët do t’i shtrijnë hetimet edhe në kopshtet e tjera publike, për të parë nëse në skandal janë përshirë edhe organizatorë të tjerë të testeve fiktive si dhe prej sa kohësh ka vazhduar kjo veprimtari e paligjshme.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›