E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaosi i fluturimeve, bota harron Kaczynski-n

Funerali Mungon Obama, Merkel dhe shumë liderë të tjerë botërorë

Qindra mijëra polakë dhe pak krerë shtetesh i kanë dhënë dje lamtumirën e fundit çiftit presidencial, që humbi jetën në tragjedinë ajrore të Smonleskut, rreth një javë më parë. Lech dhe Maria u varrosën në Katedralen historike të Krakovit, vendi ku prehen figurat më të ndritura të kombit. Që nga e marta, trupat e Presidentit dhe gruas së tij kanë qëndruar për homazhe në pallatin presidencial. Gjatë këtyre ditëve, shumë polakë kanë kryer homazhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit ish-presidentit.

Në ceremoninë e varrimit priteshin qindra delegacione nga vende të ndryshme të botës, por për shkak të hirit vullkanik që ka pushtuar qiejt e Europës dhe ka paralizuar trafikun ajror prej katër ditësh, numri i tyre ishte shumë larg atij që mendohej. Barak Obama, Angela Merkel, Nicolas Sarkozi, Silvio Berlusconi, Mbreti i Spanjës, Presidentja e Finlandës, Presidenti i Turqisë, ishin disa nga kryetarët e shteteve që nuk morën pjesë në këtë ceremoni. Sipas komunikatave për shtyp, shkaku i vetëm i mospjesëmarrjes së tyre ka qenë paralizimi i trafikut ajror. Kështu, nga Shtëpia e Bardhë bëjnë me dije se Presidenti Obama e kishte planifikuar ardhjen e tij në Poloni, por për shkak të kushteve të vështira të fluturimit, nuk iu lejua. Po ashtu edhe Merkel dhe Berlusconi. Për t’i përfaqësuar kanë menduar ambasadorët e tyre në këto vende. Në varrim nuk ka munguar Presidenti rus, Medvedev, ndërkohë që shumë krerë shtetesh, kryesisht të vendeve fqinje, kishin mbërritur në Poloni me makinë. Ndër personat që nuk morën pjesë në funeral ishin edhe Kryeministri kanadez, Stefen Harper, dhe presidenti i Komisionit Europian, Hoze Manuel Barroso.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›