E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosjet, mazhoranca sfidë Gjykatës Kushtetuese

PD rikthen nismën pas rinovimit të anëtarëve

Mazhoranca pritet të kërkojë rikthimin në skenë të disa çështjeve të hedhura poshtë nga ana e Gjykatës Kushtetuese, në momentin kur të emërohen edhe gjashtë anëtarët e rinj të kësaj trupe gjykuese. Lajmi u bë i ditur nga ana e ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani. Pjesëtari i kabinetit “Berisha”, duke folur për këtë çështje, theksoi se një shembull i mirë ishte ligji i hapjes së dosjeve, i cili u rrëzua nga ana e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Sipas Nishanit, anëtarët aktualë të kësaj gjykate e morën këtë nismë në konflikt të hapur interesi dhe me emërimin e anëtarëve të rinj, Ministria e Drejtësisë pritet të kërkojë rishqyrtim. “Ne jemi të bindur që vendimi për rrëzimin e ligjit të pastërtisë së figurave ka qenë në konflikt të drejtpërdrejtë interesi nga një pjesë e konsiderueshme e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Pa dyshim që Ministria e Drejtësisë do të vihet në lëvizje menjëherë pas shprehjes së vullnetit të mazhorancës parlamentare për anëtarët e rinj të kësaj gjykate”, theksoi Nishani në fjalën e tij.

Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë theksoi se do të ishte e moralshme që kryetari i ri i këtij institucioni gjyqësor të emërohej vetëm në momentin kur të zgjidheshin nga ana e Parlamentit anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese. Mbarimi i mandatit të kryetarit aktual, Vladimir Kristo, në muajin maj, pritet të sjellë nevojën për zgjedhjen e një tjetër kryetari, zgjedhje që ministri Nishani e rekomandon të kryhet pas emërimit të anëtarëve të rinj të kësaj gjykate. “Normalisht ka një qëndrim moral për sa kohë që një pjese të konsiderueshme të një numri të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, 6 prej tyre, u mbaron tashmë mandati, dhe Presidenti i Republikës duhet të emërojë 6 anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe Parlamenti të japë pëlqimin. Ka sens të pritet zgjedhja e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe më pas zgjedhja e kryetarit të ri”, argumentoi Nishani.
Në mënyrë të herëpashershme, mazhoranca i ka akuzuar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese si pjesë e nomenklaturës komuniste dhe përgjegjës për dënime të padrejta të bëra përgjatë kësaj kohe. Por me çuarjen e emrave të anëtarëve të rinj në Parlament nga ana e Presidentit Bamir Topi, mazhoranca pritet t’i kalojë në “sitë” të gjithë emrat për kandidatë. Nëpërmjet seancave dëgjimore që do të mbahen në Komisionin parlamentar të Ligjeve, përfaqësuesit e mazhorancës “do të skanojnë” të shkuarën profesionale të këtyre individëve, në mënyrë që asnjë prej tyre mos të ketë qenë pjesë e vendimeve të dhëna përgjatë sistemit komunist. Nga ana tjetër, mazhoranca ka vendosur si kushte për këto kandidatura jopolitizimin e tyre dhe po kështu një karrierë profesionale me rezultate të dokumentuara.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›