Aksidentet, një i vdekur dhe tre të plagosur në 48 orë
Tri aksidente të rënda, njëri me pasojë vdekjen, kanë ndodhur 48 orët e fundit në Shkodër, Berat dhe Korçë. Tre shtetas kanë mbetur të plagosur, mes të cilëve një fëmijë 7 vjeç, ndërkohë që në pranga ka rënë dhe një shtetas italian, si shkaktar i aksidentit në Korçë. Mbrëmjen e së dielës, rreth orës 21:30, në aksin rrugor Kukël-Berbullush, në Rrethin e Shkodrës ka gjetur vdekjen e menjëhershme 76-vjeçari Mark Ndoja, ndërsa e shoqja, Margarita Ndoja, që udhëtonte me të, ka marrë disa plagë të lehta. Mësohet se 20-vjeçari Ervis Nuku është arrestuar nga policia si shkaktar i këtij aksidenti. Në Berat, dje në mesditë, rreth orës 12:30, në aksin rrugor Berat-Urë Vajgurore, në afërsi të fshatit Otllak, është aksidentuar një fëmijë 7 vjeç, me inicialet K.Z. Fëmija kthehej nga shkolla, kur është përplasur nga një makinë tip "Ford" me targa të huaja. Drejtuesi i mjetit, Bilbil Kanaçi, është shoqëruar në komisariat. Në aksin Korçë-Plloçë, dje në mëngjes, rreth orës 09:45, është plagosur si pasojë e përplasjes së dy automjeteve, 30-vjeçarja Nexhmie Arapi, ndërkaq është arrestuar shtetasi italian, Antonio Simoni, si shkaktar i aksidentit.