E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria zbardh vrasjen e dy policëve në Kukës

Prokuroria e Krimeve të Rënda, në sajë të verifikimeve në kohë rekord, ka dërguar në bankën e të akuzuarve Afrim Hasanin, vrasësin e dy punonjësve të policisë në Rrethin e Kukësit. Prokurori Ardian Nezha ka përpiluar kërkesën për gjykim për ngjarjen e rëndë dhe e ka dërguar në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Sipas dosjes, punonjësit e policisë, Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila, kanë qenë me detyrë inspektor policie në Sektorin e Qarkullimit Rrugor në Kukës. Është provuar se i pandehuri Afrim Hasani ka qenë i papunë dhe jetonte në shtëpinë e tij në fshatin Petkaj, së bashku me gruan, Alketa Hasani, dy vajzat 4 dhe 2 vjeçe, nënën tij, Nurije Hasanin dhe babin e tij, Avdi Hasanin. Sipas akuzës, në datën 16 mars 2009, në qendër të fshatit Shëmri, në lokalin e shtetases Adriana Brinja kanë hyrë me forcë shtetasit Zaim Brinja dhe i pandehuri Afrim Hasani. Ky i fundit ka thyer pa asnjë motiv një pasqyrë, dy karrige, gota e pjata që ndodheshin në një tavolinë të lokalit. Pronarja ka komunikuar me efektivat e policisë, Ramadan Hila, Ajet Hila dhe Shkëlzen Dobrushi, duke u kërkuar ndihmë. Punonjësit e policisë kanë dalë në aksin rrugor Kukës-Tiranë, për të bllokuar automjetin me të cilin lëvizte Hasani. Rreth orës 15:15, ata kanë ndaluar një automjet, ku në vendin e parë të tij ishte i ulur si pasagjer Afrim Hasani. Ky i fundit është konfliktuar me punonjësit e policisë, veçanërisht me policin Shkëlzen Dobrusha. Mësohet se efektivët e policisë kanë kërkuar ndihmë dhe në zënkë e sipër Hasani është larguar. Për këtë ngjarje, punonjësit e policisë Ramadan Hila dhe Shkëlzen Dobrusha kanë bërë kallëzim penal për veprën penale të "Kundërshtimit me dhunë të punonjësit të policisë". Prokuroria thotë se ka qenë pikërisht ky incident, motivi i vetëm që e ka shtyrë të pandehurin Afrim Hasani të kryente aktin kriminal të datës 23 mars 2009. "Ai ka mësuar nga Zamir Avdia se policët Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hilaj kanë bërë kallëzim ndaj tij. Kjo ka qenë dhe arsyeja që policia ka shkuar për kontroll në banesën e tij, e për këtë fakt ai ka vendosur të hakmerret ndaj dy efektivave të policisë, duke i vrarë ata", thuhet në dosje. Sipas dosjes, i pandehuri ka siguruar një armë dhe në fillim, në shenjë hakmarrjeje, ka qëlluar ndaj makinës së shtetasit Mentor Hasani. Rreth orës 20:30-21:00 të datës 23 mars 2009, ka hyrë në lokalin e shtetasit Isa Dobrusha dhe ka hapur zjarr në drejtim të dy punonjësve të policisë, duke i lënë që të dy të vdekur në vend me plumba në kokë. Më pas është larguar dhe ka telefonuar të afërmit e tij për t‘ju treguar ngjarjen. Ka telefonuar vjehrrin e tij, Skënder Dervishin, të cilit i ka thënë se "kam vrarë dy policë, ik e merr vajzën dhe amanet dy vajzat e mia, pasi do të vras veten". Sipas prokurorisë, i pandehuri ka kryer një telefonatë me motrën, Nazmije Popën, së cilës i ka komunikuar të njëjtin fakt, duke i thënë që "të njoftonte vëllezërit të ruheshin nga gjakmarrja dhe amanet fëmijët". Pasi ka komunikuar dhe me bashkëshorten e tij, Alketa, së cilës i ka treguar për ngjarjen, Hasani ka fikur telefonin dhe së bashku me armën e krimit është larguar në drejtim të fshatit të tij, ku ka shkuar dhe është strehuar në banesën e shtetasit Miftar Miftari, e cila ka qenë një banesë e pa banuar. Këtu edhe është arrestuar në flagrancë, në datën 24 mars 2009, ora 12:00.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›