E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrezikon jetën për t‘i shpëtuar ushtrisë

Tentativa për t‘u arratisur nga ushtria e ka vënë në rrezik serioz jetën e një adoleshenti nga Kukësi. Djali 18-vjeçar, i cili ishte transferuar prej disa ditësh në repartin e Bunavisë, është në gjendje kritike për jetën në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Izmir Gjoka ka tentuar të arratiset nga reparti ushtarak me një mjet të rëndë të ushtrisë, duke u futur fshehurazi poshtë tij. Sipas burimeve nga spitali i Vlorës, që u referohen dëshmive të shoferit dhe personave që i dhanë ndihmën e parë të riut, ai ishte kapur nëpër hekurat poshtë makinës, në mënyrë që të mund të dilte nga reparti ushtarak. Pasi makina ka bërë disa metra rrugë në drejtim të portës që të nxjerr nga rrethimi i bazës ushtarake të Bunavisë, 18-vjeçari nuk ka qëndruar dot i kapur pas hekurave të saj, për shkak të lëvizjes, gazrave dhe temperaturës së lartë që u krijua kur automjeti filloi të lëvizte. Ai është hedhur në asfalt, duke u munduar të qëndrojë në hapësirën mes rrotave, por është plagosur rëndë. Një rrotë e makinës ushtarake e ka shtypur në kokë, duke i shkaktuar plagë të rënda 18-vjeçarit, i cili po lufton me vdekjen.

Mjekët e Spitalit Rajonal të Vlorës, ku i riu u dërgua për të marrë ndihmën e parë, thanë se gjendja shëndetësore ka qenë e rëndë, si pasojë e plagëve të marra në kokë. "Kishte dëmtime të rënda, madje edhe çarje të kafkës", tha një nga mjekët e urgjencës, i cili ndodhej në turn në momentin kur u paraqit i riu. Pasi kanë konstatuar gjendjen e rëndë, mjekët e spitalit të Vlorës kanë vendosur ta dërgojnë 18-vjeçarin në Spitalin Ushtarak të Tiranës, për një ndihmë më të specializuar.

18-vjeçari nga Kukësi, Izmir Gjoka, ishte pjesë e kontingjentit prej 120 rekrutësh, të cilët u morën me dhunë ditët e fundit për të plotësuar planin e rekrutëve që do të kryenin shërbimin ushtarak të detyruar dhe u soll rreth katër ditë më parë në Bunavi, për kryerjen e stërvitjes bazë që bëhet në këtë repart, përpara shpërndarjes në pika e reparte të vendit.

Gjatë këtij viti ka pasur një numër të madh ankesash nga të rinj dhe prindër të tyre, për mënyrën e rekrutimit të të rinjve për shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Shumë prej të rinjve merren me forcë në rrugë, apo në vendet e punës dhe dërgohen menjëherë në qendrat e mobilizimit, pa marrë parasysh asnjë justifikim të dhe pa njoftuar familjen. Në disa raste, të rinjtë e rekrutuar kanë qenë të vetmit që siguronin të ardhura ekonomike për familjet dhe dërgimi nën armë ka shkaktuar probleme të mëdha sociale. Prindërit ankohen se kush ka para apo influencë ka mundur t‘i shpëtojë shërbimit ushtarak, ndërsa ata që janë pa përkrahje merren me dhunë edhe nga shtëpia. Ndërkaq, mbetet ende e paqartë arsyeja se pse 18-vjeçari nga Kukësi rrezikoi jetën për t‘i shpëtuar ushtrisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›