"Peshkonte" me rrymë elektrike, gjen vdekjen babai i tre fëmijëve
Shkon për të peshkuar, humb jetën nga korrenti babai i tre fëmijëve. Burime zyrtare nga Policia e Qarkut të Lezhës bëjnë të ditur se dje në mëngjes, një 45-vjeçar nga Komuna e Bushatit, në Shkodër, ka qenë duke peshkuar në anë të kanalit të Gjadrit, kur ka gjetur vdekjen e menjëhershme nga rryma elektrike. Milkjon Lukaj ka qenë duke peshkuar me rrymë elektrike, kur ka gjetur vdekjen e papritur. Goditja e rrymës ka qenë e fortë dhe çdo lloj ndërhyrjeje ka qenë e panevojshme për 45-vjeçarin, lindur dhe banues në fshatin Rranzë të Komunës Bushat të Rrethit Shkodër. Ngjarja e rëndë ndodhi dje në fshatin Kotërr të Komunës Dajç të Rrethit të Lezhës, në vendin e quajtur kanali i Gjadrit. Kalimtarë të rastit kanë gjetur trupin e pajetë të peshkatarit dhe kanë bërë sinjalizimin e policisë. Sapo u njoftuan, në vendngjarje shkuan uniformat blu, të cilat kanë nisur të gjitha veprimet e nevojshme procedurale. Nga këqyrja e kufomës dhe hetimet e para është arritur në përfundimin se burri ka vdekur si pasojë e goditjes nga rryma elektrike, të cilën e përdorte për të vrarë peshqit. Dosja me të gjitha materialet i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë.