E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentet, një i vdekur, shtatë të plagosur, mes tyre tre fëmijë

Dy aksidente janë shënuar pasditen e kaluar në Tiranë dhe Elbasan. Aksidenti më i fundit me tre të plagosur u regjistrua në Urën e Tapizës, në aksin Fushë-Krujë - Tiranë, ku mikrobusi me targa të Tiranës, i drejtuar nga shtetasi Bashkim Yzeiri ka dalë nga rruga.


Si rrjedhojë, nga 12 personat që ndodheshin në mjet, janë lënduar tre, të cilët janë dërguar në spitalin ushtarak, ku ndodhet vetëm njëri prej tyre, jashtë rrezikut për jetën.


Ndërkohë, aksidenti tjetër u regjistrua në aksin rrugor Elbasan-Peqin në vendin e quajtur fshati Lolaj në afërsi të Peqinit, ku si pasojë humbi jetën një shtetase.


Mjeti tip "Reno" me targa DG 510 KT ka dalë nga rruga për shkak të humbjes së kontrollit nga ana e drejtuesit të mjetit. Si pasojë e përplasjes kanë mbetur të dëmtuar shtetasit Klajdi Korbi, 21 vjeç, me banim në Karinë, dhe tre të miturit me iniciale A. L, K.L. dhe I.L, përkatësisht 10 vjeç, 3 vjeç dhe 1 vjeç me banim në Gjocaj dhe shtetasja Blerina Korbi, e cila ndërroi jetë më pas në spitalin kirurgjik të Elbasanit. I dëmtuar ka mbetur edhe vetë drejtuesi i mjetit, i cili gjithashtu ka marrë mjekim në spital.


Burime të policisë rrugore bëjnë të ditur se është ndaluar shtetasi Lulzim Leci, 37 vjeç, me banim në Gjocaj nën akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.

Të dëmtuarit janë transportuar drejt spitalit kirurgjik ku kanë marrë mjekimet e para. Mësohet se gjendja e fëmijëve është e stabilizuar ndërkohë që dëmtime më të rënda ka marrë një grua, e cila ndodhet në reanimacion. Sipas policisë rrugore, dyshohet se 37-vjeçari ka humbur kontrollin e mjetit si pasojë e shpejtësisë.


Gjithsesi është duke u verifikuar shpejtësia e mjetit dhe dëshmitë për të përfunduar procedurat që sollën aksidentin e rëndë. Aksi rrugor në drejtim të Peqinit për shkak të ngarkesës është kthyer shpesh këto muajt e fundit në arenë aksidentesh. Vetëm tre ditë më pare, një 68-vjeçar humbi jetën si pasojë e përplasjes nga një automjet.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›