E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungesat e shenjave paralajmëruese, mbytet i riu kosovar

DURRËS/ Jaher Kabashi ka humbur jetën teksa është futur në det. Nxjerrja një ditë më parë e një anijeje ka shkaktuar hapjen e një kanali me një thellësi deri në gjashtë metra


DURRËS - Një kanal i hapur një ditë më parë për të nxjerrë një anije 3000-tonëshe nga rëra, ka shkaktuar mbytjen e një 23-vjeçari nga Kosova, ndërkohë që edhe tre të tjerë kanë rrezikuar jetën.


Katër vetë janë futur në ujë në një zonë ku thellësia duhet të ishte deri në gju, por janë gjendur të mbuluar nga uji pa e kuptuar as vetë. Si rrjedhojë ka humbur jetën Jaher Kabashi. E si për ironi, vdekja e tij ka ndodhur mes dy kullave të vrojtimit, në të cilat, si gjithnjë, nuk ndodhet asnjë rojë bregdetare.


Mbytja


Ngjarja e hidhur për familjen Kabashi ka ndodhur rreth orës 09:30 të së dielës, kur dy vëllezër të sapoardhur nga Kosova, në shoqërinë e dy fqinjëve të tyre, sapo kanë arritur në zonën e plazhit të njohur si Apolonia, janë futur në det. Por duke mos e njohur vendin në afërsi të bregut, ata kanë rënë papritur në një kanal të thelluar në afërsi të bregut, i cili arrinte një thellësi nga 1-6 metra.


Ky kanal ishte hapur nga draga një ditë më parë pasi aty ishte nxjerrë një anije e mbetur në breg prej 6 muajsh dhe gjatë daljes draga kishte gërryer rërën duke krijuar edhe kanalin e tërheqjes së anijes, e cila kishte mbetur në rërë.


Këtë fatkeqësi e kanë ndihmuar për momentin edhe ujërat e bregdetit që këtë të diel, në ndryshim nga ditët e tjera të muajit gusht, kanë qenë më turbullirë dhe si rrjedhojë të rinjtë nuk e kanë parë se ku po ecnin. E gjithë fatkeqësia është zhvilluar vetëm pak metra larg bregut.


Ata kanë qenë 4 vetë, nga të cilët 2 vëllezërit Kabashi, si dhe shtetasit Jetmir Jashar Gashi e Leonard Beqiri. Kur kanë rënë në humnerën e fshehtë ujore që i ka zhytur papritur, djemtë kanë kërkuar të ndihmojnë njëri-tjetrin. Viktima, thanë personat që kanë qenë në afërsi, ka dalë fillimisht, por është kthyer për të ndihmuar të tjerët dhe nuk ka rritur të mbijetojë.


Ai ka rënë poshtë dhe nuk ka dalë më, ndërsa të tjerët pas ndërhyrjes së disa djemve nga Durrësi që ndodheshin në afërsi të tyre kanë arritur që të shpëtohen. "Do të kishte shpëtuar edhe ai, - tha për "Shekullin" njëri nga të rinjtë që ndërhyri për t'i ndihmuar, - por fillimisht kujtuam se po bënin shaka me njëri-tjetrin, pasi duke qenë afër bregut nuk të mbushej mendja që po rrezikonin seriozisht.


Kërkimi


Pasi u konstatua se 23-vjeçari ishte mbytur, njerëzit janë mobilizuar për të gjetur trupin e fatkeqit, i cili duke qenë se kishte turbullirë nga rrymat e ujit, ishte e vështirë të gjendej. Në vendngjarje kanë mbërritur edhe personeli i policisë kufitare dhe asaj të rendit, që nisën kërkimet. Për këtë janë mobilizuar edhe plazhiste dhe pushues me pedaliera.


Në afërsi të vendit u afruan edhe peshkatarët e rërës siç quhen personat që gjuajnë kryesisht me pedaliera në zonën e plazhit. Pasi kontrolluan me mjetet tradicionale ata hodhën edhe rrjetat dhe kërkuan që ta kontrollonin tërë zonën pasi kishin frikë se mos trupin e kishin marrë rrymat ujore.


Pas pak kohesh në vend mbërritën polumbarët e RENEA-s të cilët hynë në det dhe pas 25 minuta kërkimesh arritën që të gjejnë viktimën, të cilën pasi e vendosën në një mjet lundrues e rimorkiuan dhe e çuan në Portin e Durrësit e më pas me një autoambulancë e dërguan në morgun e Spitalit Rajonal të Durrësit.


Vendngjarja


Vendi ku u mbyt viktima 23-vjeçare Kabashi është pikërisht vendi ku në një hark kohor prej 2 muajsh kanë dalë në breg dy anije të Flotës Tregtare të Durrësit. Njëra prej tyre "Renvi IV" duke mbetur pa shpresë daljeje u pre për skrap. Ndërkohë, anija 3000-tonëshe "Amelie" u nxor një ditë më pare. Pikërisht në këtë vend, në bregdet ka mbetur ende i pambushur kanali i thelluar për të nxjerrë nëpër hapësiren ujore mjetin 3000-tonësh.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›