E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veturat e reja të policisë "thajnë" karburantin

Automjetet konsumojnë mbi 10 litra karburant në trafikun e qyteteve, ndërkohë që në katalogët e tyre shënohet 6 litra


Veturat u blenë në fillim të vitit, nga Policia e Shtetit ndërsa konsumi i karburantit ka kaluar limitet e parashikuara prej tyre


TIRANE- Autoveturat e reja të blera nga Policia e Shtetit, duket se po thajnë buxhetin e Policisë së Shtetit dhe rezervat e saj të karburanteve, për shkak të konsumit të madh që ato kanë, duke futur në hall jo të vogël krerët e policisë lokale dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në vend.


Konsumi i tyre jashtë parashikimeve të drejtuesve të Policisë ka bërë që drejtuesit e policisë të mendohen seriozisht për përdorimin e tyre, duke bërë që në pamundësi të bllokimit të tyre të bëhet minimizimi i qarkullimit me to.


Konsumi i tepërt i tyre është vënë re që në fillim të vënies së tyre në funksion dhe në përdorim nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit kryesisht patrullat e komisariateve në qytete të ndryshme, apo patrullat e policisë rrugore të akseve jashtë qytetëse, apo në segmentet brenda qyteteve të ndryshme në vend.


Burimet e policisë konfirmojnë një fakt të tillë duke pohuar se konsumi i karburantit nga këto mjete që kanë kapacitetin e motorit 1.4 litra, në qytet shkon në 10 litra për 100 kilometra ndërsa konsumi i tyre rritet edhe më tepër në varësi të kohës së qëndrimit të tyre në trafikun e qyteteve të ndryshme apo në rrugë.


Në mënyrë të vazhdueshme drejtuesit e nivelit të ulët të policisë ua kanë ngritur si shqetësim këtë fakt drejtuesve dhe eprorëve të tyre, duke i vënë përballë faktit se konsumi i karburantit nga mjetet po tejkalon rezervat që ata kanë si dhe parashikimet për periudhën që duhet të mbulojë me karburant një rezervë e caktuar.


Kjo ka vënë në dilemë drejtuesit e policisë të cilët deri më tani me sforco të madhe kanë mundur të mbajnë mjetet në qarkullim, duke kryer patrullimet e nevojshme, shërbime të ndryshme në vendet e ngjarjeve apo veprime të tjera me normën aktuale të karburantit.
Gjithsesi sipas burimeve, me një konsum të tillë të karburantit që kanë mjetet aktuale të policisë të markës "Chevrolet Aveo", duket se rezervat, nuk do të jenë më të bollshme.


Në kohën e blerjes mjetet në manualet e tyre kanë pasur të shënuar konsumin e karburantit në masën 6 litra për 100 kilometra.


Por gjatë verës ky konsum rritet edhe më tepër duke patur parasysh se në ndonjë rast efekticët e policisë janë të detyruar të hapin edhe kondicionerët e veturave si dhe po të llogarisësh faktin se benzina, ka një koefiçent avullimi në temperatura të larta.


Ndërkaq në manualet e këtyre veturave, nuk ka qenë e shënuar sasia e karburantit që këto mjete konsumonin në një trafik urban, apo në trafik të kombinuar, qytetës dhe jo qytetës. Një llogari e tillë, me një konsum prej vetëm 6 litrash në 100 kilometra, pa llogaritur edhe momentet e tjera, duket se ka "mashtruar" Policinë si blerës në marrjen e 297 autoveturave për llogari të saj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›