E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita nis me aksidente. Një kalimtar i vdekur, dy të plagosur

DURRES/ KORCE- Ka nisur me aksidente rrugore mëngjesi i sotëm. Një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë në aksidente të ndryshme që kanë ndodhur në Korçë e Durrës.
Sipas të dhënave të policisë, viktima është shënuar në aksidentin që ndodhi në qytetin bregdetar të Durrësit, kur një automjet mori përpara kalimtarin 70-vjeçar dhe e la të vdekur në vend. "Viktima është shtetasi Hasan Shehi, 70-vjeç, i cili u përplas nga një makine tip "Benz" në aksin Sukth-Ishëm"- thanë burimet policore, duke shtuar se pas ngjarjes u ndalua drejtuesi i mjetit, Alfred Bardhi.
Po këtë mëngjes, dy persona mbetën të plagosur si pasojë e dy aksidenteve që kanë ndodhur në orë të ndryshme në rrugën nacionale Korçë-Pogradec.
"Luan Lici, 52 vjeç, nga fshati Bulgarec i Korçës qarkullonte me një biçikletë kur u përplas sot në mëngjes nga një mjet me targa të huaja, që drejtohej nga një shtetas anglez"- tha policia, duke shtuar se i dëmtuari ka qenë duke shpërndarë qumësht në qytetin e Korçës.
Ndërkohë, në orët e vona të natës, duke u gdhirë dita e sotme, në afërsi të fshatit Vashtmi, në aksin rrugor Korçë-Pogradec, u regjistrua një tjetër aksident, me pasojë plagosjen e Mirosh Brahollit, 52 vjeç, nga fshati Vashtmi, që qarkullonte me karrocë. Nga hetimet e policisë në vendngjarje, rezulton se 52 vjeçari u përplas nga një mjet që lëvizte në të njëjtin drejtim me të.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›