Aksidentet, një vdes, 9 plagosen
MIRDITE/ KORÇE
Një e vdekur dhe 9 persona të tjerë të plagosur rëndë është bilanci i dy aksidenteve që ndodhën brenda pak orësh në rrugët nacionale të Korçës dhe Mirditës. Ngjarja me të vdekur u shënua në rrugën nacionale Lezhë-Rrëshen. Sipas policisë, katër pjesëtarë të një familjeje u përfshinë në aksident në orët e vona të së mërkurës. Mjeti me targë LE 6531 A, i cili drejtohej nga Nikoll Bazhella ka dalë nga rruga duke rënë në lumin Mat, në afërsi të fshatit Skuraj. Si pasojë e kësaj ngjarjeje mbeti e vdekur Pashke Bazhella, ndërsa u plagosën rëndë bashkëshorti i saj Nikoll Bazhela si dhe dy fëmijët, djali 17 vjeç dhe vajza 16 vjeçe. Të plagosurit janë dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë, nga ku mësohet se janë në gjendje kritike për jetën. Sipas burimeve të policisë, shkak i aksidentit është shpejtësia e madhe e drejtuesit të “Benz”-it, i cili ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, duke përfunduar në lumin Mat. Aksidenti tjetër i rëndë ndodhi mëngjesin e djeshëm në superstradën që lidh Korçën me Qafë-Plloçën. Rreth orës 05:30, dy mjete që udhëtonin në kahe të kundërta janë përplasur me shumë forcë me njëri-tjetrin duke shkaktuar lëndimin jo vetëm të dy drejtuesve, por edhe të katër pasagjerëve të tyre. Të gjashtë të plagosurit, mes tyre edhe një fëmijë 12 vjeç, përfunduan në gjendje të rëndë në spitalin e Pogradecit. Sipas policisë, në sajë të hetimeve të kryera shkaktar i këtij aksidenti është 21-vjeçari Klodian Dumani, nga fshati Dardhas i Pogradecit. Ai ishte duke udhëtuar drejt Korçës me shpejtësi për të arritur në kohë në punë. Mësohet se Dumani është punonjës policie tek burgu i sigurisë së lartë në Korçë. Burimë të policisë bëjnë të ditur se ai drejtonte mjetin e tij tip “Audi”, me targa italiane BU 450775, kur në afërsi të fshatit Petrushë është përplasur në fillim me një bordurë dhe më pas ka humbur drejtimin duke i dalë përpara makinës që vinte përballë. Si pasojë e përplasjes me mjetin me targë KO 80828, i cili drejtohej nga Elton Zoto, 34 vjeç nga Korça, mbetën të plagosur të dy shoferët, por edhe 4 pasagjerët, 12–vjeçari S.Ç., nëna e tij Anxhela Çoku, 35 vjeçe, Flora Zoto, 55 vjeçe, si dhe 26-vjeçari Leonard Selimllari. Policia shoqëroi pas ngjarjes shkaktarin e këtij aksidenti. r.n/j.gj
Pasojat
E vdekur
Pashke Bazhella
Të plagosur
Nikoll Bazhella
Djali 17 vjeç
Vajza 16 vjeçe
KORÇE
Të plagosur
Klodian Dumani
Elton Zoto
Anxhela Çoku
Flora Zoto
Leonard Selimllari
S.Ç., 12 vjeç