Tenton t’i hedhë në erë shtëpinë për një fyerje
TIRANE - Një adoleshent me çrregullime mendore ka tentuar t’i hedhë shtëpinë në erë një bashkëmoshatarit të tij, i cili i kishte thënë budalla. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Babrru të kryeqytetit. Adoleshenti, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për shkak të hetimeve, pas një debati që ka pasur me bashkëmoshatarin Elson Zylfo, ka menduar të hakmerret në një mënyrë tjetër. Disa minuta para mesnatës ai ka mbushur tri shishe me benzinë dhe pasi ka ndezur fitilin e njërës prej tyre i ka hedhur në shtëpinë e Zylfos, ku ai jetonte vetëm me nënën e tij, Marjana Zylfo. Fatmirësisht shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme të konsiderueshme materiale dhe dy banorët e shtëpisë nuk janë plagosur. Ndërkohë ata kanë denoncuar ngjarjen në Komisariatin nr.5 të policisë së Tiranës, duke dhënë edhe dyshimet e tyre se kush mund ta kishte kryer atë veprim. Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ku pas verifikimeve të kryera në banesën e dëmtuar është arritur në përfundimin se shpërthimi erdhi nga 3 shishe me benzinë që ishin hedhur nga disa metra largësi. Pasi janë marrë në pyetje Marjana Zylfo dhe djali i saj Elsoni, oficerët e policisë kanë shoqëruar në cilësinë e dëshmitarëve edhe disa persona që kishin dijeni rreth debatit që ka pasur disa orë para shpërthimit Elson Zylfo me personin e dyshuar. Sipas deklarimeve, debati mes dy adoleshentëve ka nisur pasi Zylfo i ka thënë budalla personit që dyshohet se ka realizuar ngjarjen në Babrru. Dëshmitarët kanë treguar për policinë, se adoleshenti duke qenë se kurohej vazhdimisht për depresion, nuk e duronte dot faktin që të tjerët ia vinin në dukje. Burime nga policia thanë se ky fakt ishte i njohur edhe nga Komisariati nr.5 i policisë së kryeqytetit, pasi ai kishte qenë i shoqëruar edhe 3 herë të tjera më parë për vepra të ndryshme penale. Sipas deklarimeve të familjes së dëmtuar, mësohet se ata nuk kishin pasur asnjë lloj konflikti apo mosmarrëveshje me persona të tjerë dhe nuk e shpjegonin ndryshe shpërthimin në shtëpinë e tyre. Lidhja e vetme me ngjarjen ishte incidenti që Elson Zylfo kishte pasur me autorin disa orë para se të ndodhte ngjarja. Ndërkohë duke e konsideruar si të vetmin person që mund të ketë hedhur shishet me benzinë në banesën e familjes Zylfo, policia e ka shpallur në kërkim dhe po punon për kapjen e tij. e.d