E Shtunë, 31 Tetor 2026

U kap në Tiranë për trafik armësh e droge, greku ekstradohet në Athinë

 

Tirane – Interpoli shqiptar i dorëzoi dje policisë së Athinës shtetasin grek Stavros Papamihalis, i cili është dënuar nga drejtësia shqiptare me 15 vjet burg për trafik droge dhe trafik armësh. Ekstradimi është realizuar dje, pas një kërkese të vetë personit të dënuar, i cili ka preferuar që vuajtjen e burgimit të dhënë ndaj tij nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë ta kryejë në burgjet greke dhe jo në Shqipëri. Kërkesa e të dënuarit është aprovuar nga togat e zeza, 2 vjet pas arrestimit kur është vendosur transferimi i tij në Greqi. Stavros Papamihalis, me shtetësi greke dhe bashkëpunëtori i tij shqiptar, Genci Marku, që tentuan të trafikonin 16 kilogramë heroinë drejt shtetit grek tre vite më parë, janë dënuar me 25 vjet heqje lirie. Papamihalis është dënuar me 15 vjet burg dhe Marku me 10 vjet për akuzat trafik armësh. Greku ka pranuar akuzën e trafikut të drogës dhe ka pohuar gjithashtu përpara gjykatës se droga ishte në pronësi të tij. Ngjarja për të cilën akuzohen shtetasi grek dhe ai shqiptar ka ndodhur rreth 3 vjet më parë, në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë. Papamihalis është arrestuar së bashku me të fejuarën e tij shqiptare në shkurt të 2006-ës, duke udhëtuar nga Delvina drejt Kakavijës, me synim ikje në Greqi. Në makinën e tij tip “Renault” u gjetën 16 kilogramë heroinë dhe dy pistoleta, njëra prej të cilave me silenciator. Më pas e fejuara e Papamihalit u lirua, pasi ndaj saj nuk kishte prova që ta implikonin në këtë trafik, ndërsa vetë atij do t‘i duhet të kalojë 15 vjet në qeli. Ndërkohë vitin e kaluar, me një vendim gjykate u pranua që shtetasi grek të kthehet në vendin e tij për të kryer dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare. Vendimi për Stavros Papamihalisin është marrë më 25 qershor 2008 nga Gjykata e Krimeve të Rënda, e cila ka pranuar kërkesën e të dënuarit për t‘i hapur rrugën atij të vijojë vuajtjen e dënimit në Greqi. Pas këtij vendimi të dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, Papamihalis nisi procedurat zyrtare për t‘u kthyer në vendin e tij dhe qëndroi plot një vit në Burgun 313. Ndërkohë dje Interpol Tirana realizoi ekstradimin e tij nga Tirana në drejtim të Athinës, ku tashmë shtetasit grek do t’i duhet të kryejë edhe 12 vite të tjera burg në qelitë e vendit të tij. Ndërsa bashkëpunëtori i tij shqiptar Genci Marku vazhdon të kryejë dënimin e mbetur në burgjet shqiptare.                               e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›