Djemtë e Mehmetit fitojnë trashëgiminë
Fatos Mahmutaj
Skënder dhe Bashkim Shehu, dy djemtë e ish-kryeministrit kom-unist Mehmet Shehu, i vetëvrarë në vitin 1981, dhe dy vajzat e Vladimir Shehut, djalit tjetër që pati të njëjtin fat me të atin, do të trashëgojnë secili një të tretën pjesë të pasurisë së lënë nga prindërit. Dy ditë më parë, gjykatësi Agim Bendo në Gjykatën e Tiranës firmosi vendimin gjyqësor për lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë për trashëgimlënësit Mehmet dhe Fiqiret Shehu në favor të tre djemve të tyre Skënder, Bashkim e Vladimir Shehu. Procesi gjyqësor është kërkuar nga Skënder Shehu, djali i madh i ish-kryeministrit Mehmet Shehu, të vetëvrarë në mënyrë enigmatike në dhjetor të vitit 1981, i cili iu drejtua gjykatës për ndarjen e pasurisë së trashëguar nga prindërit. Duke iu referuar të dhënave në faqen zyrtare elektronike të Gjykatës së Tiranës, padia e Skënder Shehut, e cila mban numrin 9700, është regjistruar më datë 2 qershor 2009. Objekti i saj është: “Kërkohet lëshimi i dëshmisë së trashëgimisë ligjore për të ndjerit prindërit e mi Mehmet dhe Fiqiret Shehu”, ndërsa seanca e këtij procesi u zhvillua pasditen e dy ditëve më parë, kur u vendos pranimi i padisë së djalit të ish-kryeministrit.
Kërkesa
Në kërkesë-padinë e dorëzuar në gjykatën e kryeqytetit së bashku me certifikatat personale dhe familjare, Skënder Shehu pohon se i ati i tij, i ndjeri Mehmet Shehu, ka vdekur natën mes 17 dhe 18 dhjetorit të vitit 1981. Ndërsa e ëma e tij, Fiqireti ka vdekur më datë 11 shtator 1988, teksa vuante dënimin politik që i kishte dhënë shteti diktatorial. Po kështu vëllai i tij i madh Vladimir Shehu ka vdekur në mënyrë enigmatike në qershor të vitit 1982, ndërsa ka lënë bashkëshorten dhe dy vajza. I ndodhur përballë këtij fakti, Skënder Shehu pasi ka mbledhur dokumentet e duhura, së bashku me certifikatat personale dhe familjare të familjarëve të tij, i është drejtuar Gjykatës së Tiranës nëpërmjet avokatit të tij, Përparim Rama. 60-vjeçari Shehu aktualisht jeton në Suedi, ndërsa vëllai më i vogël, Bashkimi, në Francë. Për këtë shkak Skënderi ka caktuar avokatin Rama për t’i përfaqësuar në gjykim. Më parë atij iu desh të shpallte të vdekur nënën e tij, e cila që nga koha e komunizmit rezultonte e gjallë nëpër regjistrat e gjendjes civile, pasi askush nuk e kishte bërë çregjistrimin e saj. Duke ndjekur kronologjinë e ngjarjeve, djali i ish-kryeministrit kërkoi fillimisht nga gjykata lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë për babanë e vdekur në vitin 1981 dhe më pas për nënën, e vdekur më 1988.
Dëmshpërblimi
Dëmshpërblimi i ish të dënuarve politikë të kohës së komunizmit është bërë shkak që djali i Mehmet Shehut të kërkonte këtë proces gjyqësor, në mënyrë për të përfituar nga dëmshpërblimi për burgun e nënës. Sipas ligjit për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë, ata përfitojnë dy mijë lekë të reja për çdo ditë të kaluar në qeli gjatë kohës së komunizmit. Bashkëshortja e Mehmet Shehut kaloi rreth 6 vjet në burg, duke përfituar në këtë mënyrë rreth 4.5 milionë lekë të reja, që, sipas gjykatës do ndahen mes dy djemve, Skënder e Bashkim Shehu dhe vajzave të djalit tjetër Vladimir, i cili vdiq në mënyrë enigmatike në qershor të vitit 1982. Sipas vendimit të dy ditëve më parë të shpallur nga gjykatësi Bendo, gjithë pasuria e trashëguar nga Mehmet dhe Fiqiret Shehu do të ndahet në tri pjesë të barabarta, nga të cilat secili nga dy djemtë, Skënder dhe Bashkim Shehu do të përfitojnë nga një pjesë, ndërsa pjesa e tretë iu jepet vajzave të vëllait të tyre, Vladimirit. Dëshmia e trashëgimisë e lëshuar nga gjykata përfshin, veç pronave të familjes Shehu në Çorrush të Mallakastrës dhe familjes Sanxhaktari në Berat, edhe shumën e dëmshpërblimit të burgut të Fiqiretit.
Mehmet Shehu
ish-kryeministri më jetëgjatë në pushtet, vdiq në mënyrë enigmatike në natën mes 17 dhe 18 dhjetorit të vitit 1981. Ende nuk dihet nëse vdekja e tij ishte vetëvrasje, siç u përfol atë kohë zyrtarisht, një eliminim nga kundërshtarët e tij politikë. Në lidhje me këtë ngjarje janë hedhur dhjetëra hipoteza vrasjeje, nisur nga fakti i plagëve që janë gjetur pas ekzaminimit në kufomën e tij. Po kështu edhe mënyra e gjetjes së kufomës dhe armës me të cilën është kryer qitja. Vetë familjarët e tij kanë pohuar disa herë se vdekja e Shehut nuk mund të ishte vetëvrasje, por eliminim i pastër. Kjo hipotezë është mbështetur edhe nga fakti se kufoma e tij ishte varrosur dhe zhvarrosur në disa vende, derisa u gjet nga djemtë e tij në një fshat të Tiranës.
Fiqiret Shehu
bashkëshortja e ish-kryeministrit Mehmet Shehu ka vdekur pasditen e 11 shtatorit të vitit 1988 në qelitë e Burgut 313 në kryeqytet, ndërsa kufoma e saj u varros në fshatin Zejmen të Lezhës. Nëpër dokumentet arkivore të kohës 79-vjeçarja Shehu rezulton të ketë pasur një vdekje natyrale, por pas vitit 1990 me marrjen fund të komunizmit janë hedhur hipoteza për eliminimin e saj nga ish-sigurimi i shtetit. Kjo hipotezë gjen mbështetje në faktin se ajo nuk ka pasur asnjë sëmundje deri pak orë para se të gjente vdekjen. Pas kësaj kufoma e saj është dërguar në varrezat e burgut të Zejmenit të Lezhës dhe nuk është lejuar t’u jepej familjarëve apo të varrosej në varrezat e kryeqytetit. Pas vitit 1990 djemtë e saj gjetën dhe zhvarrosën eshtrat e saj.
Vladimir Shehu
Djali i madh i Mehmet dhe Fiqiret Shehut, Vladimiri, ka vdekur në mënyrë enigmatike në qershor të vitit 1982 në Gramsh, teksa punonte në elektrik. Kufoma e tij është gjetur e karbonizuar në një transformator elektrik, ndërsa autoritetet komuniste të kohës pohuan se në këtë rast ishte një vetëvrasje. Gjithçka ka ndodhur rreth gjashtë muaj pas vdekjes së të atit dhe burgosjes së nënës dhe vëllezërve të tij.
Skënderi dhe Bashkimi
Arrestimit dhe burgosjes në kohën e komunizmit nuk i shpëtuan as dy djemtë më të vegjël të Shehut. Bashkimi u arrestua së bashku me të ëmën dhe vuajti në qelitë e burgjeve komuniste deri në vitin 1990. Po kështu edhe djali tjetër, Skënderi, pati të njëjtin fat. Ai në momentin e vdekjes së të atit ndodhej në Suedi. Ai u telefonua të kthehej në Tiranë dhe sapo mbërriti u arrestua për të mbetur burgjeve për 10 vjet.
I biri, gjyq për të shpallur vdekjen e Fiqiretit. Nuk ishte çregjistruar
TIRANE - Fiqiret Shehu, bashkëshortes së Mehmet Shehut, ish-kryeministrit të vdekur në mënyrë enigmatike në dhjetor të vitit 1981, i është dashur të kalonte më tepër se 6 vite vuajtje nëpër burgjet komuniste nën akuzat e rreme: “tradhti ndaj atdheut”, “agjitacion e propagandë”, “pjesëtare e një organizate kriminale kundër pushtetit popullor”, “bashkëpunëtore e burrit të saj, poliagjentit Mehmet Shehu”, si dhe “abuzim financiar”, për të cilat u dënua me 10 vjet burg. Por këtë dënim nuk arriti ta përfundonte, pasi vdiq në Burgun 313 në kryeqytet më 11 shtator 1988, ndërsa kufoma e saj u dërgua nga autoritetet e burgut për t’u varrosur në Zejmen të Lezhës. Vite më vonë u fol që vdekja e saj nuk ishte natyrale, por një eliminim i pastër nga krerët e shtetit komunist, të cilët po e kuptonin se po u vinte fundi i qeverisjes dhe se po u tronditej pushteti. Të njëjtin fat si e ëma patën edhe dy djemtë e saj, Skënderi dhe Bashkimi, të cilët u arrestuan dhe vuajtën burgjeve të komunizmit rreth 10 vjet deri në fillim të viteve ’90, kur u liruan të dënuarit politikë. Pas vdekjes ajo mbeti e paçregjistruar në regjistrat e gjendjes civile, derisa pak kohë më parë djali i saj Skënderi u kujdes që me anë të një procesi gjyqësor në Gjykatën e Tiranës të vërtetonte faktin e vdekjes së nënës. Vendimi për vdekjen e saj u shpall në dhjetor të vitit të kaluar. Ndërkohë, për dënimin e vuajtur padrejtësisht në qelitë e burgjeve komuniste, Fiqiret Shehu përfiton një dëmshpërblim prej rreth 45 milionë lekësh të vjetra, të cilat do ndahen në tri pjesë të barabarta mes dy djemve të saj, Skënder e Bashkim Shehut dhe dy vajzave të vëllait të tyre, Vladimirit. Sipas ligjit të dëmshpërblimit të të dënuarve politikë të kohës së komunizmit, bashkëshortja e ish-kryeministrit përfiton 20 mijë lekë të vjetra dëmshpërblim për çdo ditë të kaluar në qeli. Por këtë shumë familjarët e saj nuk mund ta përfitonin nëse gjykata nuk do t’iu lëshonte dëshminë e trashëgimisë. fa.ma.