E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci ndahet në 42 procese

 

Armand Bajrami

Gjykata e Tiranës “thërrmon” në 42 çështje gjyqësore të veçanta padinë e Bashkisë Vorë për banorët e Gërdecit. Bëhet fjalë për padinë e bërë pak muaj më parë në gjykatën e kryeqytetit ndaj 42 banorëve të Gërdecit, të dëmtuar nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të municioneve në 15 mars të vitit 2008 në këtë fshat. Sipas padisë, Bashkia e Vorës pretendon se banorë të dëmtuar të Gërdecit kanë përfituar nga fondet e dhëna nga qeveria si dëmshpërblim, pasi janë dëmshpërblyer më shumë nga sa ishin dëmtuar në të vërtetë. Lajmi u bë i ditur nga burime zyrtare të Dhomës Civile të Gjykatës së Tiranës. Padia, nga një çështje e vetme u nda në 42 të tilla, të cilat do të shqyrtohen nga gjyqtarë të ndryshëm në ditët në vijim. Mësohet se veçimi i padive në çështje të veçanta është bërë për shkak të kohës shumë të gjatë që do të nevojitej për shqyrtimin e tyre në një çështje të vetme.
Ndarja e padive
Veçimi i padive në aq çështje gjyqësore sa janë edhe të pandehur u vendos pak ditë më parë nga gjyqtarja Manjola Bejleri në Gjykatën e Tiranës. Burime pranë gjykatës sqaruan se veçimi i padive në shqyrtime të veçanta u bë për shkak të ngarkesës së madhe që do të krijohej nëse ato kryheshin në të njëjtën dosje. “Shqyrtimi në të njëjtën dosje të të gjitha padive do të kërkonte shumë kohë”, pohuan dje burimet. Mësohet se vështirësia lindte në faktin se të gjithë të paditurit kishin shfaqur në seancat më të mëparshme gjyqësore pretendime të ndryshme nga njëri-tjetri. Gjithashtu për secilin prej tyre duhet të duheshin ekspertë që do të riekspertonin dëmin e shkaktuar.
Dje shorti elektronik i kësaj gjykate përzgjodhi gjyqtarët që do të merren me shqyrtimin e këtyre padive. Sipas shortit në gjykimin e padive të Bashkisë së Vorës për banorët e Gërdecit do të përfshihen plot 15 gjyqtarë të Gjykatës së Tiranës. Katër prej padive të shqyrtohen nga gjyqtarja Manjola Bejleri, e cila kishte në shqyrtim këtë padi para ndarjes së saj. Në ditët në vijim pritet të caktohen datat e seancave të para ku do të fillojë gjykimi për këto çështje.
Padia e Bashkisë Vorë, për 42 prej personave të dëmtuar nga shpërthimi i marsit 2008 në Gërdec u depozitua në Gjykatën e Tiranës rreth një javë para se dosja “Gërdeci” të shkonte për gjykim në Gjykatën e Lartë në mars të këtij viti. “Kleçka” mbi të cilën Bashkia Vorë ka paditur banorët për përfitim nga fondet shtetërore ka qenë vlerësimi i komisionit të dytë të dëmeve. Ky komision vlerësoi në shuma më të vogla dëmet e shkaktuar nga shpërthimi, në një kohë që banorët ishin dëmshpërblyer sipas vlerësimit të komisionit të parë. Në këtë këndvështrim, bashkia i konsideron banorët si debitorë ndaj saj dhe i paditi në gjykatë.

Të paditur

Altin Subashi
Asllan Hasrama
Drita Brreti
Gani Kasa
Gëzim Aliu
Ali Subashi
Ali Murati
Arben Kurdina
Bajram Topi
Bashkim Kuçi
Bilbil Idrizi
Edmond Muça
Flamur Kaca
Haki Matraxhi
Haki Ibrahimi
Halil Halili
Hamdi Merja
Hamdi Koxherri
Haxhi Previzi
Hekuran Cubi
Hekuran Zika
Ismail Matranxhi
Ismail Kuçi
Kujdesi Matraxhi
Kujtim Dulo
Kujtim Murati
Lulzim Derjai
Mahmud Disha
Mirand Daja
Myslym Dova
Partizan Habibi
Ramadan Beca
Ramiz Kuçi
Refat Lako
Sali Muça
Sanie Skënderi
Vath Topi
Vilfid Muça
Xhaferr Muça
Xhemaile Xhixho
Ylli Zaimi
Latif Lamallari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›