“Banda e Durrësit”, Krimet shtyjnë seancën e 85-të
TIRANE – Gjykata për Krimet e Rënda ka shtyrë për një datë të re seancën e djeshme në ngarkim të personave të dyshuar si anëtarë të “bandës së Durrësit”. Procesi “maratonë”, i cili prej disa seancash zhvillohet me dyer të mbyllura për median, ka dështuar sërish dje duke mos mundur të dalë nga “ngërçi” i futur prej më se dy vjetësh gjykim. Shkak për shtyrjen e seancës së djeshme ka qenë kërkesa e njërit prej mbrojtësve ligjorë të të pandehurve, i caktuar kryesisht nga gjykata një seancë më parë për t’u njohur me aktet e dosjes. Pasi ka pranuar këtë kërkesë, gjykata ka vendosur ndërprerjen e seancës dhe shtyrjen e saj në një datë të re. Gjykimi në ngarkim të të akuzuarve si pjesëtarët e organizatës kriminale të quajtur “banda e Durrësit”, ka “ngecur” në dhënien e dëshmisë nga i pandehuri Adriatik Coli, i cili gëzon statusin e “të penduarit dhe bashkëpunëtorit të drejtësisë”. Dosja në ngarkim të pandehurve të këtij gjykimi është regjistruar në gjykatë në 17 qershor të vitit 2007. Në pjesën më të madhe të rasteve, shkak i shtyrjeve të njëpasnjëshme që çojnë në zvarritjen e procesit, kanë qenë mungesat e avokatëve mbrojtës të të pandehurve. Të pandehurit e kësaj dosjeje akuzohen për vepra të rënda kriminale të kryera në vitin 1997 në qytetin e Durrësit. ar.ba