Bello: Në opozitë për shkak të debateve me LSI
Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Marko Bello tha dje në një prononcim për mediat gjatë mbledhjes së asamblesë, se një nga arsyet kryesore që kjo forcë humbi në zgjedhjet e 28 qershorit, ishte koalicioni i saj i rrudhur në krahasim me koalicionin më të gjerë të Partisë Demokratike. “Mosmarrëveshjet me Lëvizjen Socialiste për Integrim, e kanë lënë edhe njëherë tjetër PS-në në opozitë”, theksoi më tej Bello. Në lidhje me pjesëmarrjen e Partisë Socialiste në Kuvendin e ardhshëm Bello deklaroi se: “Jam i kënaqur që shumica e anëtarëve të PS-së kanë reflektuar dhe kanë harruar fjalën bojkot, pasi është momenti që PS të orientohet dhe të njohë institucionet”, duke shtuar se: “Edhe pse një lloj reflektimi është ndjerë edhe tek kryetari i PS-së, por tashmë Rama duhet të dorëhiqet, çka ia detyron edhe statuti i partisë”. “Pas një analize të thellë për humbjen e këtyre zgjedhjeve na duhet që të ofrojmë bazën me kryesinë e partisë dhe të gjejmë një mënyrë tjetër për ta sjellë PS-në në pushtet”, tha Bello. Sipas tij: “Ishte e rëndësishme të miratohej pjesëmarrja e grupit parlamentar socialist në Kuvend, për të qenë një opozitë konstruktive dhe më pas ne kemi kapacitete për t’u riorganizuar dhe të jemi të suksesshëm për të ardhur në pushtet”.