E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentet, policia fajëson firmat e rrugëve

 

PESHKOPI - Një ditë pas aksidentit në segmentin Bulqizë-Burrel ka reaguar policia rajonale Dibër ndaj firmave që nuk mirëmbajnë segmentet nacionale që ato kanë marrë me koncension për mirëmbajtje. “Janë tre firma private që kanë marrë përsipër të mirëmbajnë rrugën Milot-Bulqizë. Secila prej tyre do të përfitojë në tre vjet, të paktën 40 milionë lekë të rinj. Ndërkohë prej fillimit të këtij muaji, gjendja e rrugëve ka qenë dhe mbetet e vështirë”, thanë burimet policore. Dje temperaturat në rrethin e Bulqizës shënonin minus 15 gradë dhe rrugët ishin të pushtuara nga akulli. Sektorët e policisë rrugore janë porositur të këqyrin nga afër gjendjen e rrugëve nacionale dhe ta raportojnë atë në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Qarkut Dibër. “Gjendja e rrugëve vazhdon të mbetet e vështirë, - thanë drejtues të sektorit të qarkullimit rrugor Bulqizë, - ndërkohë firmat që kanë fituar tenderët për mirëmbajtje nuk janë treguar të afta t’i mirëmbajnë ato”. Drejtuesit e policisë Bulqizë vlerësojnë vetëm punën e firmës Vllaznia Ndërtim, e cila ka mirëmbajtur rrugën Qafa e Buallit-Suç, ndërkohë për firmat e tjera janë vendosur gjoba deri në 200 mijë lekë të rinj, sepse nuk kanë mirëmbajtur rrugët gjatë emergjencës dimërore.           h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›