Peshkatarët, 4 orë mes dallgëve
Ekuipazhi prej pesë personash i peshkarexhës “Nikolaos” luftoi për rreth 4 orë në det të hapur me dallgët, që arrinin forcën 8 ballë.
Peshkatarët dhanë alarmin “Sos” mbrëmjen e së martës, por tentativa e rojeve bregdetare dhe më pas e Guardia di Finanza rezultoi e kotë. Që prej orës 24:00 e deri në mëngjes, rreth orës 04:00, peshkarexha u end në mëshirë të fatit mes dallgëve. Ekuipazhi arriti të shpëtojë pasi u hodh në det, ndërsa anija me të cilën ata dolën të peshkonin u nxor nga dallgët në breg gjysmë e mbytur. Mësohet se anija ka kërkuar ndihmë rreth orës 00:05, pasi më parë vetë peshkatarët kishin bërë përpjekje për të dalë nga situata. Ata kishin dalë për gjueti sardelesh në gjirin e Vlorës, pranë vendit të quajtur “Shën Jani”, në gadishullin e Karaburunit. Pronari i peshkatores, Alfred Osmani ka vënë në dijeni rojet bregdetare se kishin dalë për peshkim në orën 20:00 nga Triporti, por motorët e peshkarexhës ishin fikur. Mjeti kishte filluar të merrte ujë dhe ekuipazhi rrezikonte mbytjen. Në të ndodheshin Alfred Osmani, Xhevair Hasani, Pajtim Veizi, Genci Shehu dhe Njazi Abazi. Strukturat e shërbimeve të rojeve bregdetare, si dhe Guardia di Finanza u nisën për të dhënë ndihmë. Për shkak të dallgëve mjetet e lundrimit të stacionit të policisë kufitare të Triportit e kishin të pamundur të ofronin ndihmë. Për këtë arsye u vu në dispozicion Roja bregdetare 217. Por edhe kjo anije për shkak të kohës së keqe nuk arriti të afrohej. Në këto kushte në bashkëveprim me kapitanerinë e portit dhe me Guardia di Finanza-n, u nisën në det dy rimorkiatorë. Ndërkohë, dallgët e kishin zhvendosur anijen nga “Shën Jani” përballë kodrës së Zvërnecit, rreth një milje e gjysmë në afërsi të bregut. As rimorkiatorët nuk kanë mundur dot të ndihmojnë peshkarexhën për shkak të motit të keq. Rreth orës 03:40 peshkarexha është mbushur me ujë pasi motorët ishin fikur. Kur anija filloi të mënjanohej, peshkatarët janë detyruar të hidhen në det, duke rrezikuar seriozisht të mbyteshin nga dallgët dhe i ftohti. Pronari i saj, Alfred Osmani si dhe 4 pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit, arritën të shpëtonin, të ndihmuar së fundi dhe nga forcat policore të bregdetit. Sipas peshkatarëve, kur anija do fundosej ata vendosën të hidheshin në det. “Ka qenë një natë tmerri. Kemi 20 vjet punë, por një ngjarje e tillë nuk na ka ndodhur kurrë”, shprehen ata.
Ekuipazhi
- Alfred Osmani
- Xhevair Hasani
- Pajtim Veizi
- Genci Shehu
- Njazi Abazi